LIVE| Vdes në fushë futbollisti 17-vjeçar i Trepçës ’89 NULL NULL 03.12.2022 15:59 03.12.2022 15:59 16:42 – Agim Ademi për vdekjen e 17-vjeçarit: Djalosh shembullor dardan, do ta kujtojmë përherë Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pas vdekjes së futbollistit 17-vjeçar, Erion Kajtazi. Ademi thotë se është thellësisht i tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e futbollistit të Trepça ’89 teksa u shpreh ngushëllime familjarëve, njofton Klankosova.tv. “Thellësisht i tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e futbollistit të FC Trepça’89 dhe anëtarit të ekipeve të grupmoshave të Kombëtares së Kosovës, Erion Kajtazi. Një lajm që na tronditi dhe preku zemrat e gjithsecilit prej nesh si komunitet i futbollit, por edhe opinionin e Kosovës në përgjithësi. Vdekja e parakohshme i ndali në gjysmë ëndrrat e tij rinore dhe futbollistike”. Mes tjerash, Ademi thotë se i gjithë komuniteti i futbollit, e nderon dhe e kujton me lot në sy djaloshin shembullor dardan. “Erioni ndërroi jetë në fushën e gjelbër, aty ku filloi ta jetësonte ëndrrën e tij për t’u bërë një futbollist i madh, me të cilin do të krenohej jo vetëm familja, por edhe i gjithë kombi. Erioni ishte talent i jashtëzakonshëm, por sot u shua për të udhëtuar drejt parajsës, e për jetuar përgjithmonë i freskët në kujtimet e familjes, bashkëlojtarëve dhe tërë komunitetit të futbollit”. “Në këtë ditë të rëndë pikëllimi, në emrin tim, të KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit, dua t’ua përcjell ngushëllimet më të thella për këtë humbje të madhe familjes Kajtazi, FC “Trepça’89” dhe bashkëlojtarëve e miqve të Erionit. Sot, i gjithë komuniteti i futbollit, e nderon dhe e kujton me lot në sy djaloshin shembullor dardan”, ka shkruar Ademi në Facebook. 16:41 – FFK: Erion Kajtazi vdiq nga arresti kardiak, stafet mjekësore bënë përpjekje maksimale Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se sot pas një sulmi kardiak ka ndërruar jetë futbollisti i Trepçës ’89 dhe lojtari i ekipeve kombëtare të Kosovës, Erion Kajtazi. Sipas FFK-së, Kajtazi ishte duke luajtur në ndeshjen A&N – Trepça ’89, në kuadër të Superligës në kategorinë e juniorëve, dhe për një moment, sipas federatës, ka rënë pa vetëdije në fushë. “Stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi për t’i ofruar ndihmë dhe më pas me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren”. “Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak”, thuhet në njoftimin e FFK-së, përcjell Klankosova.tv. FFK i ka shprehur ngushëllime familjes Kajtazi, klubit të Trepçës ’89 dhe komunitetit të futbollit. 16:31 – Nga Spitali i Prizrenit thonë se futbollisti 17-vjeçar arriti pa shenja jete Futbollisti 17-vjeçar, E.K, i Trepça ’89 që pësoi arrest kardiak në fushë, kishte mbërritur në Spitalin e Prizrenit pa shenja jete. Këtë për Klan Kosova e tha mjeku kujdestar i Emergjencës në Spitalin e Prizrenit, Hekuran Veçgishti. 17-vjeçari ndërroi jetë pas sulmit në zemër teksa po zhvillohej ndeshja futbollistike e Kampionatit të Kosovës për gjeneratat nën moshën 17 vjeç, ndërmjet A&N nga Prizreni dhe Trepçës 89 nga Mitrovica. 16:25 – Vdekja e 17-vjeçarit të Trepça ’89, Agim Ademi dhe lojtarët e dy ekipeve shkojnë te Spitali i Prizrenit Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është duke qëndruar tek Spitali i Prizrenit pas vdekjes së futbollistit 17-vjeçar të Trepça ’89, E.K. Bashkë me Ademin janë edhe lojtarët e Trepça ’89 dhe A&N të Prizrenit, njofton Klankosova.tv. Kujtojmë se vdekja tragjike e 17-vjeçarit ndodhi në ndeshjen futbollistike të Kampionatit të Kosovës për gjeneratat nën moshën 17-vjeç, ndërmjet A&N nga Prizreni dhe Trepçës 89 nga Mitrovica. /Klankosova.tv 15:59 – Vdes në fushë futbollisti 17-vjeçar i Trepçës ’89 Një futbollist 17-vjeçar i ekipit të juniorëve të Trepçës 89, me inicialet E.K., ka vdekur sot në fushë të futbollit, pas sulmit që pësoi në zemër. Kjo ndodhi në ndeshjen futbollistike të Kampionatit të Kosovës për gjeneratat nën moshën 17 vjeç, ndërmjet A&N nga Prizreni dhe Trepçës 89 nga Mitrovica. Lojtari mitrovicas u rrëzua pa ndjenja në fundin e pjesës së parë, ndërsa vdekja e tij u konfirmua në spital, kanë thënë për Klan Kosova zyrtarët e klubit A&N.