Lajmet e fundit

Bateristi i grupit të njohur ZZ Top, Frank Beard, ka vdekur në moshën 77-vjeçare, njoftoi grupi.
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të grupit blues-rock thuhet se Beard vdiq të hënën, nën kujdesin paliativ në fermën e tij në Richmond, Teksas, ndërsa pranë tij ndodheshin familjarët. Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Vdekja e Beard “bën të domosdoshëm anulimin” e koncerteve të grupit të planifikuara këtë javë në Utah dhe Kolorado, thuhet në deklaratë.
ZZ Top u themelua në vitin 1969 dhe treshja – Beard, Billy Gibbons dhe i ndjeri Dusty Hill – zhvilloi koncertin e parë live një vit më vonë. Së bashku ata publikuan 15 albume në studio dhe katër albume live, duke sjellë hite si “Gimme All Your Lovin’”, “Sleeping Bag” dhe “Viva Las Vegas”.
Pas vdekjes së Hill në vitin 2021, grupi vazhdoi të performonte me Elwood Francis në bas.
“Sot, Elwood dhe unë humbëm një mik dhe bashkëpunëtor të madh, ndërsa bota humbi një prej bateristëve më natyrshëm inovativë dhe një bir të madh e të vërtetë të Teksasit”, tha Gibbons.
“Ritmi i tij karakteristik ishte thelbësor për ta mbajtur ZZ Top në majë. Grupi, pjesë e të cilit ai ishte për gjashtë dekada, do të vazhdojë përpara, ashtu siç ai do të kishte dashur”, shtoi ai.
ZZ Top, i cili u përfshi në “Rock and Roll Hall of Fame” në vitin 2004, ka vazhduar turnetë në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Amerikën e Jugut.
Koncertet e anuluara pas vdekjes së Beard ishin planifikuar të zhvilloheshin të hënën në Salt Lake City, Utah, dhe të mërkurën në Colorado Springs, Kolorado.
Grupi tha se planifikon të rifillojë turneun aktual “The Big One!” gjatë fundjavës, me dy koncerte në Austin City Limits. Sipas grupit, ky ishte një prej ambienteve të preferuara të Beard, në një qytet që për të ishte shndërruar në një lloj shtëpie të dytë. /Klankosova.tv