Varroset ish-Myftiu i Kosovës Rexhep Boja (VIDEO)

Varroset ish-Myftiu i Kosovës Rexhep Boja (VIDEO)

NULL NULL
23 hours më parë

Gjatë ditës së sotme është varrosur me nderime të larta fetare ish-myftiu i Kosovës Rexhep Boja.

Shumë familjarë, miq dhe personalitete fetare dhe shtetërore janë mbledhur sot në varrezat e fshatit Kërrnicë të Klinës për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-kryetarit të BIK-ut.

Në njoftimin e BIK-ut, ku janë publikuar pamjet nga ceremonia e varrimit, thuhet se Rexhep Boja ishte njëri prej kontribuuesve më të mëdhenj të islamit në vend.

“Me këndim të Kuranit dhe lutje është përcjell për në vendbanimin e fundit ish-kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Rexhep Boja, i cili kaloi në ahiret të martën e 14 shtatorit. Personalitete të shumta fetare, kombëtare, shtetërore së bashku me bashkëpunëtorë, miq e familjarë u mblodhën sot në varrezat e fshatit Kërrnicë të Klinës për t’i dhënë lumturinë e fundit njërit prej kontribuuesve më të mëdhenj të islamit në vend dhe shtet-ndërtimit të Kosovës”.

Rexhep Boja në vitin 1990 ishte zgjedhur kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës dhe më pas është rizgjedhur në këtë post edhe për dy mandate të tjera.

Në vitin 1992 është zgjedhur dekan i Fakultetit të Studimeve Islame dhe ka vazhduar në këtë post për shumë vjet. Rexhep Boja ishte edhe ambasador i Kosovës në Arabinë Saudite.

Ai vdiq gjatë ditës së djeshme në moshën 75 vjeçare pas një sulmi në zemër.