Vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës do të shpëtonte jetën e grave

Vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës do të shpëtonte jetën e grave

8 muaj më parë

Action for Mothers and Children dhe Koalicioni K10 kanë organizuar tryezë diskutimi me rastin e shënimit të Javës Europiane të kancerit të qafës së mitrës.

Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës është një fushatë sensibilizuese evropiane, e cila ka si qëllim të rrisë informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të qafës së mitrës te femrat, njofton Klan Kosova.

Drejtori ekzekutiv, Vlorian Molliqaj, tha se kjo javë shërben për të ngritur vetëdijen e grave për këtë sëmundje që është e shpeshtë.

“Në botë janë diagnostifikuar rreth 570 mijë gra gjatë vitit 2018, por edhe në Kosovë numri i grave të prekura nuk është i ulët. Shumica e rasteve të prekura nga kjo sëmundje ndodhen në faza të avancuara që çon deri në vdekshmërinë e grave. Ne si AmC dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë në vitin 2015 kemi filluar në Prizren dhe tash po vazhdojmë në Mitrovicë. Një mënyrë tjetër është edhe vaksina kundër AQP-së që rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”.

“Kjo vaksinë nuk ka efekte të dëmshme dhe për këtë arsye ne si AmC dhe UNFPA. Për këtë arsye këtë çështje do ta kthejmë dhe do ta avokojmë fuqishëm që kjo vaksinë të futet në Kosovë. Kostoja për këtë vaksinë mund të jetë e madhe, por sipas analizës kostoja do të jetë e vogël”.

Merita Vuthaj nga Ministria e Shëndetësisë thotë se çdo vit organizohen javë të tilla me qëllim zbulimin e hershëm të kancerit.

“Qëllimi është që të mos flasim vetëm për këto probleme por edhe për sfidat me të cilat po ballafaqohemi. Ministria e Shëndetësisë e ka marrë si prioritet që të bëjë një vlerësim ku është pasqyruar gjendja aktuale në Kosovë. Sa i përket kancerit të qafës së mitrës e mira është që në vitin 2020 është paraparë që të hartohen këto tri programe”.

Visare Nimani Mojko nga UNFPA tha se kjo ngjarje tregon përkushtimin e tyre për shëndetin e gruas duke theksuar se nuk duhet shikuar koston e lartë të vaksinës.

“Në nivel global ky kancer ndodh në vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme ku nuk ka vaksinim të mirëfilltë. Me këtë kancer diagnostifikohen një numër i lartë i grave në botë, por edhe në Kosovë është i madh. Papatesti fillimisht e kemi nisur në komunën e Prishtinës, më pas në Mitrovicë dhe Prizren. Mendoj që nuk mund të arsyetojmë koston e lartë të vaksinës që shërben për parandalimin e kacerit të qafës së mitrës”.

Ndërkaq, doktoresha Rina Limani nga Instituti i Patologjisë tha se po të bëhej vaksinimi anjë grua nuk do të vdiste nga ky kancer.

“Është shumë e rëndësishme të punohet në këtë drejtim, duhet t’i diagnostikojmë me kohë rastet që janë në proces e sipër. Ne si patologë jemi të gatshëm të ndihmojmë procesin dhe të shtrijmë në nivel të Kosovës”.

Kjo tryezë është mbështetur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA.