Vajzat e Anton Çetës s'pajtohen që shtatorja e babait të tyre të vendoset në oborrin e Katedrales “Nënë Tereza”

Vajzat e Anton Çetës s’pajtohen që shtatorja e babait të tyre të vendoset në oborrin e Katedrales “Nënë Tereza”

NULL NULL
2 javë më parë

Vajzat e Anton Çetës, Agata dhe Donika kanë reaguar rreth vendimit të marrë nga Ipeshkvia e Kosovës për vendosjen e shtatores së babait të tyre në oborrin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Përmes një postimi të përbashkët në Facebook, vajzat e Çetës kanë deklaruar se ky veprim nuk është në përputhshmëri me misionin e babait të tyre.

Po ashtu, ato kanë publikuar edhe një letër, të cilën ia kanë dërguar Ipeshkëvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit.

Letra e plotë:

I nderuar Imzot Dodë Gjergji,

Në cilësinë e familjes Çetta, ju dërgojmë këtë letër përmes së cilës deklarohemi rreth vendosjes së shtatores së babait pranë Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Ne vlerësojmë nismën Tuaj për të respektuar figurën multidimensionale të babait tonë. Por duke njohur mirë shpirtin e tij, dhe duke qenë të vetëdijshme për jetën dhe veprën e tij, vazhdojmë të besojmë fort se, misioni i tij fisnik u realizua duke u bazuar në vlerat e pajtimit, paqes, tolerancës fetare e mbi të gjitha mbi dashurinë e madhe ndaj popullit të vet shqiptar.

Ne vlerësojmë se figura e babait duhet të jetë model që transmeton tek gjeneratat e reja vlerat duke tejkaluar të gjitha dallimet e një shoqërie multireligjioze ku ndodhemi ne, model i paanësisë dhe dinjitetit.

Vendosja e shtatores brenda mureve të oborrit të Katedrales, do të binte ndesh me parimet dhe qëllimet e tij, prandaj ne si familje nuk e miratojmë një vendim të tillë dhe shpresojmë shumë në mbështetjen Tuaj dhe mirëkuptimin e vendosjes së shtatores përballë Fakultetit Filologjik aty ku e ka miratuar Kuvendi Komunal.