Lajmet e fundit

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion në Prizren, në kuadër të hetimeve për veprën penale të fajdesë, ku janë arrestuar dy persona të dyshuar.
Operacioni është zhvilluar gjatë ditës së martë nga Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Prokurorinë Themelore në Prizren, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Policisë, i dyshuari V.H., 49-vjeçar nga fshati Randobravë, është arrestuar nën dyshimin për veprat penale “Fajdeja”, “Detyrimi” dhe “Mbajtja e paautorizuar e armëve”.
Ndërsa i dyshuari D.E., 37-vjeçar, po ashtu nga Randobrava, dyshohet për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesit pas kryerjes së veprave penale”.
Policia bën të ditur se, bazuar në hetimet e deritanishme, të dyshuarit dyshohet se kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj një viktime, duke e detyruar atë të veprojë në dëm të pasurisë së tij dhe duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Gjatë operacionit janë kontrolluar dy lokacione në fshatin Randobravë të Prizrenit, ku janë sekuestruar dëshmi materiale që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Ata janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prizren.