Lajmet e fundit

Novak Gjokoviq, tenisti serb me prejardhje nga Zveçani, është eliminuar në raundin e parë të garës US Open për herë të parë në karrierën e tij, duke regjistruar një prej humbjeve më befasuese në historinë e turneut të famshëm amerikan, shkruan Kosovapress, transmeton Klankosova.tv.
Fituesi i 24 titujve Grand Slam u mposht të dielën, sipas orës amerikane, nga argjentinasi Mariano Navone me rezultat 7-6 (5), 5-7, 4-6, 6-2, 6-1, pas një përballje që zgjati më shumë se katër orë e gjysmë.
Gjokoviq kishte një rekord prej 19 fitoresh dhe asnjë humbjeje në ndeshjet e raundit të parë të US Open.
Në fakt, ai nuk e kishte humbur ndeshjen hapëse në asnjë turne Grand Slam, nga katër sa janë gjithsej, që nga Australian Open i vitit 2006.
39-vjeçari, bartësi i katërt dhe katër herë kampion në Flushing Meadows, siç quhet ndryshe US Open, pati edhe probleme fizike gjatë përballjes së gjatë.
Gjokoviq u pa duke vjellë gjatë ndeshjes, ndërsa u përball edhe me probleme në këmbë, në një mbrëmje të vështirë që përfundoi me eliminimin e tij të hershëm.
Pavarësisht se ka prejardhje nga Zveçani i Kosovës, ku i ka lindur dhe jetuar babai, Gjokoviq njihet si një nga figurat kryesore të kontestimit të shtetësisë së Kosovës, në Serbi. Ai nuk ka ngurruar kurrë të flasë jo mirë për Kosovën.