Lajmet e fundit

Rreth 20 milionë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç, ose pothuajse 1 në 5, janë përballur me të paktën një formë të shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të mundësuar nga teknologjia gjatë një viti në 21 vende, sipas një raporti të ri të UNICEF-it.
Raporti i titulluar Through Children’s Eyes: How Digital Technologies Enable Child Sexual Abuse tregon se mbi 15 milionë fëmijë janë ekspozuar ndaj përmbajtjeve seksuale të padëshiruara, 9 milionë janë kërkuar të përfshihen në biseda seksuale ose të ndajnë imazhe seksuale kundër vullnetit të tyre, ndërsa 4 milionë kanë pasur imazhe seksuale të tyre të shpërndara pa pëlqim, transmeton Klankosova.tv.
Pothuajse 60 për qind e rasteve kanë ndodhur në platformat e mediave sociale, përfshirë Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok dhe WhatsApp, ndërsa 14 për qind në lojërat online.
Në 57 për qind të rasteve, autorët ishin persona që fëmijët i njihnin, përfshirë bashkëmoshatarë, miq, partnerë romantikë ose familjarë.
UNICEF thekson se pasojat tek fëmijët mund të jenë të rënda. Ata që kanë përjetuar abuzim të mundësuar nga teknologjia kanë qenë katër herë më të prirë të raportojnë mendime ose sjellje vetëvrasëse dhe vetëlëndim, si dhe kanë raportuar nivele më të larta të ankthit.
Mbi 40 për qind e rasteve nuk i janë treguar kurrë askujt, ndërsa më pak se 1 për qind janë raportuar tek autoritetet. Arsyeja më e zakonshme ishte se fëmijët nuk dinin ku ose kujt t’i kërkonin ndihmë.
Për Kosovën, UNICEF thekson nevojën që bazat ligjore dhe politikat ekzistuese të përkthehen në praktikë, duke siguruar mekanizma të sigurt raportimi dhe përgjigje të koordinuar nga shërbimet sociale, shëndetësore, arsimi, policia dhe drejtësia.
Raporti u bën thirrje qeverive dhe kompanive teknologjike të forcojnë sigurinë e platformave që në fazën e dizajnimit, të përmirësojnë mekanizmat e raportimit dhe mbështetjes, si dhe të forcojnë ligjet dhe masat kundër formave të reja të abuzimit, përfshirë shantazhin seksual dhe materialet seksuale të abuzimit të fëmijëve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
“Të gjithë ne, përfshirë qeveritë dhe kompanitë e teknologjisë, duhet të bëjmë më shumë për t’i mbrojtur fëmijët online”, tha Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell.