15:00, 21 Gusht 2019

Sa po shtohen orët e grevës nga 1 në 9 aq më tepër po rritet koha e pritjes së udhëtarëve brenda objektit të Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”.

Këtë kaos e ka shkaktuar greva 3 ditëshe e punëtorëve të “Adem Jasharit” për të cilën nuk është duke bërë absolutisht asgjë menaxhmenti i aeroportit.

Pengesat në fluturime po sjellin kokëçarje, nervozizëm në këto temperatura të larta për shumë qytetarë.

Njëri ndër ta është edhe Blerim Aliu nga Prishtina.

Avioni me të cilin do të duhet të udhëtonte Aliu ishte paraparë të ateronte nga Zvicra për në Prishtinë, por fluturimi dështoi kështu që ndalesë pati Shkupin, dhe nga atje ai dhe 70 udhëtarë të tjerë shkuan me autobus në ANP “Adem Jashari”.

” Na i kemi mirëkuptuar grevistët se e dimë me çfarë kushtesh punojnë, por jemi mjaft të mllefosur në menaxhmentin duke ditur që sa taksën ia japim”.

E së bashku me familje e fëmijë të vegjël po pret në radhë për ta bërë regjistrimin në sportel edhe Sherif Dukellaj.

Kjo situatë po i rëndon fort udhëtimin edhe kësaj familjeje.

” Qe 1 orë jemi duke pritur edhe kushedi sa presim, kjo nuk është në rregull ne mezi po vijmë edhe kur po vijmë mezi po shkojmë, me 100 telashe, është shumë e lodhshme, edhe tash kushedi sa ka me na ra me prit, ndoshta edhe fluturimi na shtyhet.”

Ndërkaq udhëtarët e tjerë thonë se nuk kanë as ku të ankohen dhe se janë të detyruar të durojnë kështu.

Nysret Çeska nga Rahoveci ishte duke pritur bashkë me motrën e tij më të moshuar.

” Unë jam duke pritur që 1 orë e ma shumë, unë nuk e di deri kur kështu ka me zgjatur kjo punë me shqiptarë, kur duam me mbledh mend…, unë jam i ri pres diqysh në këmbë por këta ma të moshuarit dhe me fëmijë të vegjël e kanë shumë telashe”.

Çmimin deri në plotësimin e kërkesave të grevistëve nga menaxhmenti i aeroportit “Adem Jashari” që nuk po tregon absolutisht autoritet për ta zhbllokuar situatën janë duke e paguar edhe më tej qytetarët.

Rreth 500 punëtorë të këtij institucioni kanë pesë kërkesa kyçe për menaxhmentin që i kanë parashtruar tash e tri ditë:

  1. Të paguhet rrezikshmëria në vendin e punës sipas ligjeve të punës në Kosovë.
    2. Të bëhet nivelizimi i pagave.
    3. Të paguhet përvoja e punës
    4. Të paguhet orët e punës gjatë fundjavës, dhe
    5. Të paguhet një shujtë ditore.

 

 

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë