Lajmet e fundit

Përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka folur për përjetimet e tij gjatë takimeve me veteranë e ivdalidë, dhe familjarë të dëshmorëve e martirëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar sakrificën dhe kontributin e tyre në rrugën drejt lirisë së Kosovës.
Në emisionin “DPT te Fidani”, Tasholli tha se ndjenja e parë që e përjeton kur dëgjon rrëfimet e tyre është ajo e “vogëlsisë”, përballë sakrificave që ata kanë bërë, transmeton Klankosova.tv.
“Ndjenja e parë është ajo e vogëlsisë kur ndodhesh brenda idealit të tyre ndihesh fëmijë, dhe veç e dëgjon idealin, duke të treguar se për çka e kanë pasur qëllim, duke të treguar për vuajtjet që i kanë pasur, sakrificat që i kanë pasur”, u shpreh Tasholli.
Sipas Tashollit, përballë rrëfimeve të tilla, fjalët shpesh janë të pamjaftueshme dhe shprehja më e madhe e mirënjohjes mbetet falënderimi.
“Në këso momente edhe fjalët të duken të tepërta, në këso momente veç u thu faleminderit. Kjo shoqëri duhet ta institucionalizojë mirënjohjen, kjo shoqëri nuk duhet të jetë mosmirënjohëse, ky është rreziku më i madh”, deklaroi Tasholli.
Ai shtoi se shoqëria duhet t’ua njohë luftëtarëve gjakun, sakrificën dhe mundin e dhënë gjatë luftës.
“Ne duhet me ua njoftë gjakun, sakrificën, mundin, djersën, gjithçka që kanë bërë. Krejt katrahura jonë e rrugëtimit nëpër terr synim ka pasur lirinë, e këtë qëllim e ka realizuar”, u shpreh ai.
Tasholli foli edhe për emocionet që, sipas tij, krijohen kur bashkëluftëtarët mblidhen së bashku dhe ndajnë kujtimet e tyre për luftën dhe idealin e lirisë.
“Kur i sheh ashtu tub, të bëhet zemra mal. E sheh duke e nderuar e respektuar njëri-tjetrin, kur e sheh se e bashkëndjenjë tregimin për rrugën e idealit të lirisë, zemra mal të bëhet”, tha ai.
Po ashtu, Tasholli e cilësoi UÇK-në si një prej shtyllave të shtetësisë së Kosovës, duke thënë se në rrëfimet dhe bashkimin e veteranëve e sheh edhe shpresën për të ardhmen e vendit.
“Aty e sheh shpresën e këtij vendi, se UÇK-ja është shtyllë e shtetësisë sonë”, tha Tasholli.