Lajmet e fundit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas kritikave dhe përpjekjeve për të vendosur deputetët e saj në të njëjtin rresht me deputetët e Listës Serbe, duke e cilësuar një veprim të tillë si “përpjekje të ulët për linçim publik dhe kërcënim politik”.
Në reagimin e saj, LDK-ja ka theksuar se qëndrimi i saj është parimor dhe se partia nuk mund të shantazhohet përmes etiketimit apo kërcënimeve, pasi deputetët e saj nuk e votuan në lexim të parë Projektligjin për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, transmeton Klankosova.tv.
“Mesazhi ynë është i qartë, LDK nuk shantazhohet. As me etiketime, as me kërcënime, as me përpjekje të tilla”, thuhet në reagim.
Sipas LDK-së, qëndrimi i saj lidhet me përgjegjësinë ndaj Kosovës dhe me nevojën që çështjet e ndjeshme të trajtohen me seriozitet juridik dhe në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.
“Ne nuk e mashtrojmë popullin me iniciativa që nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Nuk ushqejmë shpresa të rreme dhe nuk i përdorim dhimbjen e ndjenjat e njerëzve për përfitime politike”, thuhet më tej.
LDK-ja ka deklaruar gjithashtu se, pavarësisht qëndrimeve të saj politike, nuk heq dorë nga identiteti dhe historia e saj politike.
“Jemi partia e Ibrahim Rugovës, e lirisë, e pavarësisë dhe e orientimit perëndimor të Kosovës. Jemi edhe partia e veprimtarëve të vrarë, familjet e të cilëve ende presin drejtësi”, thuhet në reagim.
Partia ka theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të trajtohet si pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës, ndërsa kërkimi i drejtësisë për viktimat, sipas saj, mbetet detyrim.
“Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Kërkimi i drejtësisë për viktimat është detyrim i patjetërsueshëm. Kosova duhet t’i mbrojë të dyja, me të vërtetën, me shtetin dhe me përgjegjësi”, thuhet në reagim.
LDK-ja u ka bërë thirrje partive politike dhe liderëve të tyre që të tregojnë përgjegjësi dhe të distancohen nga gjuha e linçimit.
“Dallimet për rrugën që duhet ndjekur nuk na bëjnë armiq. Kosova ka nevojë për maturi dhe bashkëpunim; nxitja e urrejtjes mes nesh vetëm e dobëson atë”, përfundon reagimi i LDK-së.