Lajmet e fundit

Një shtetas britanik është arrestuar pasi dyshohet se ka pështyrë mbi një flamur turk.
Pushuesi, që besohet të jetë Stephen Kerr, 58-vjeç, po qëndronte në një resort të njohur në bregdetin mesdhetar të Turqisë, kur ndodhi incidenti, raporton “The Sun”, transmeton Klankosova.tv.
Britaniku dyshohet se pati një përplasje të ashpër me punonjësit e hotelit, para se të pështynte mbi flamurin e varur në holl.
Stafi i revoltuar e mbajti britanikun dhe e raportoi rastin në polici.
Policët mbërritën me shpejtësi në resortin në Antalia.
Oficerët i vunë prangat britanikut, i cili kishte veshur pantallona të shkurtra të verdha fosforeshente dhe një jelek të kaltër, dhe e shoqëruan atë në gjykatën e Alanias.

Atje, një gjykatës e akuzoi zyrtarisht turistin për “fyerjen e simboleve të sovranitetit të shtetit”.
Pushuesit iu desh një përkthyes për të dhënë deklaratën e tij në gjykatë.
Sipas ligjeve represive turke, mosrespektimi i flamurit kombëtar dënohet me burgim deri në tre vjet.
Ambasada britanike në Turqi thekson në faqen e saj të internetit se nuk mund t’i nxjerrë njerëzit nga burgu, edhe nëse ata janë shtetas britanikë.
Nuk është e qartë saktësisht se kur 58-vjeçari është arrestuar.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike tha: “Ne po mbështesim një shtetas britanik të arrestuar në Turqi dhe jemi në kontakt me autoritetet”.
“The Sun” thotë ta ketë kontaktuar Ambasadën britanike në Turqi për një koment. /Klankosova.tv