Truss planifikon të zhvendos ambasadën britanike nga Tel Avivi në Jerusalem - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Truss planifikon të zhvendos ambasadën britanike nga Tel Avivi në Jerusalem

NULL NULL
22/09/2022

Kryeministrja e re e Britanisë, Liz Truss, ka thënë se po shqyrton zhvendosjen e ambasadës britanike në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem, në një lëvizje që do të ishte një kthesë e madhe e politikës së jashtme të ishullit.

Në një takim në periferi të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, Truss i tha udhëheqësit të përkohshëm të Izraelit, Yair Lapid, se do të “rivlerësonte vendndodhjen aktuale” të ambasadës.

Përveç SHBA-së, vetëm tre shtete kanë ambasada në Izrael në Jerusalem – Kosova, Honduras dhe Guatemala.

Statusi i Jeruzalemit, të cilin izraelitët dhe palestinezët e pretendojnë si kryeqytetin e tyre, është një nga çështjet më të ndjeshme në konfliktin afatgjatë.

Jerusalemi Lindor, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, është konsideruar si territor i pushtuar palestinez sipas ligjit ndërkombëtar, që nga lufta gjashtë-ditore më 1967.

Ashtu si shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar, qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar deri në këtë pikë ka qenë se qyteti i ndarë duhet të ketë konsullatat, por jo ambasadat, derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare e paqes, raporton Guardian, transmeton Klankosova.tv.

Përmbushja e premtimit të fushatës zgjedhore nga Donald Trump në vitin 2018 për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, shkaktoi reagime ndërkombëtare dhe çoi në protesta dhe përleshje në të cilat forcat izraelite vranë dhjetëra palestinezë. Kryeministrja e atëhershme e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, e kritikoi vendimin në atë kohë.