Lajmet e fundit

Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping pinë çaj në Shtëpinë e Bardhë dhe vizituan Arkivin Kombëtar të premten, duke përmbyllur një samit treditor që vuri theksin te diplomacia personale dhe jo te përparimet e mëdha publike lidhur me një sërë çështjesh të diskutueshme.Trump tha se "fermerët tanë do të jenë të lumtur" si rezultat i bisedimeve, por nuk dha detaje.
"Amerika është shumë e kënaqur me këtë vizitë dhe jam i sigurt se edhe Kina është shumë e kënaqur," tha ai.
Xi tha se marrëdhënia SHBA-Kinë kishte evoluar në një marrëdhënie konstruktive të "stabilitetit strategjik, bazuar në respekt, drejtësi dhe reciprocitet".
Samiti midis dy ekonomive më të mëdha në botë përfshiu fluturime demonstrative ushtarake, vizita ceremoniale dhe një darkë zyrtare, por la të pazgjidhura dallime të mëdha lidhur me tregtinë, inteligjencën artificiale, Tajvanin dhe lidhjet e Kinës me Iranin. Detajet e marrëveshjeve të kufizuara tregtare të arritura gjatë vizitës do të bëhen të ditura të hënën, tha Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Një rezultat konkret i vizitës ishte dakordësia midis SHBA-së dhe Kinës për të zgjatur me dy muaj armëpushimin tregtar që do të skadonte më 10 nëntor, duke lënë më shumë kohë për të punuar mbi një marrëveshje tregtare potencialisht më të gjerë.
Greer i tha CNBC-së se SHBA-ja ka rënë dakord me Kinën për të përjashtuar disa mallra kyçe nga mosmarrëveshjet tregtare, përfshirë eksportet drejt Kinës të produkteve bujqësore dhe pajisjeve mjekësore, si dhe importet e mallrave të konsumit dhe atyre jo-sensitive.
Trump theksoi përparimin e arritur përmes një mekanizmi dypalësh tregtar, duke përmendur atë që ai e përshkroi si qasje më e madhe në treg për fermerët dhe blegtorët amerikanë, ndërsa të dy liderët e identifikuan inteligjencën artificiale si një fushë për dialog.
"Në njëfarë mënyre, gjëja më e mirë që arritëm në këtë vizitë është vazhdimi i bisedës," tha të premten ambasadori i SHBA-së në Kinë, David Perdue, në emisionin "America's Newsroom" të Fox News.
Trump njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se ai dhe Xi do të takohen edhe dy herë të tjera këtë vit: në Kinë, në muajin nëntor, për forumin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), dhe në Miami, në muajin dhjetor, për samitin e G20-ës.