Lajmet e fundit

Shkruan: Blerim Shala
Këto ditë u shënua trevjetori i ngjarjes në Banjskë.
E dimë të gjithë ne këtupari çfarë ndodhi atë ditë, me 24 shtator të vitit 2023, kur u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Grupi i paramilitarëve serbë, i prirë nga Millan Radoiçiq, emri që personifikon të gjitha të këqijat që janë shënuar në këtë pjesë të vendit, ia mësyu Veriut të Kosovës, aneksimit të tij, duke synuar provokimin e një konflikt të kufizuar ushtarak.
Duhej të ndryshonte, në këtë mënyrë, i gjithë rrëfimi/dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndryshe i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga ShBA-ja.
E tëra duhej të përfundonte me bashkimin e katër komunave të Veriut me Serbinë.
Tash e tutje, kjo duhej të negociohej në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë.
Rrethanat politike për një zhvillim të këtillë e pati përgatitur vet Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, me largimin e të gjithë policëve, gjykatësve, prokurorëve, zyrtarëve serbë nga pushteti lokal në këto anë të Kosovës, në nëntorin e vitit 2022.
Pastaj, vet Grupi paramilitar u ushtrua dhe u pajis me armatimin më bashkëkohor nga vet instancat më të larta ushtarake në Serbi.
Shteti i Serbisë e bëri Banjskë. Në krye me Presidentin e saj.
Nuk pati gjë sekrete apo të panjohur në këtë kontekst.
Vet Millan Radoiçiq i pranoi të gjitha pak ditë më pas, pasi u zu në pamjet e dronëve atje mbi vendin e krimit.
Në të vërtetë, edhe para se të ndodhte ky pranim publik, ShBA-ja dhe BE-ja e kishin fare të qartë se cila është adresa e përgjegjësisë për këtë provokimin më të rëndë të sigurisë në Veriun e Kosovës për vite me radhë.
Zaten, kjo adresë ishte e vetmja për të gjithë telashet që u shkaktuan në Veriun e Kosovës që prej fundit të luftës e më pas.
Deri këtu, natyrisht, ky rrëfim ecën rrjedhshëm, pa kundërthënie, pa dyshime.
Me të përfunduar të tij, çfarë del në sipërfaqe, me tërë fuqinë e tij, është ai kallëzimi i munguar, i cili është dashur (natyrshëm dhe logjikshëm), të i qepet atij të parit.
Ta zëmë: Nëse ka ndodhë një vrasje, dhe madje, dihet edhe kush e ka bërë atë, me ndihmën dhe planet e kujt, atëherë, do të duhej të ndodhte arrestimi, gjykimi dhe ndëshkimi i tij.
Millan Radoiçiq sot e kësaj dite shëtit lirshëm në Serbi, kudo që dëshiron ai, dhe madje, ai vazhdon të jetë nën mbrojtjen e shtetit të Serbisë.
Vet ky shtet, nuk ka pësuar farë sanksione të veçanta politike dhe ekonomike në ndërkohë, edhe pse SHBA-ja, BE-ja dhe Aleanca Veri-Atlantike, shumë herë që prej shtatorit të vitit 2023, kanë potencuar që përgjegjësit për këtë ngjarje duhet të sillen para drejtësisë.
Këtë deklarim e ka bërë pak kohë më parë edhe Sekretari i Paktit NATO, Mark Rutte.
Megjithatë, asgjë nuk ka ndodhur që prej atëherë.
Nuk ka pasur (dikush mund të shtojë që as nuk ka mundur të ketë), lëvizje as në dialogun e Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, teksa pikërisht Banjska është dashtë (asokohe), të shfrytëzohet si katalizator për një ecje shumë më dinamike në krijimin e një relacioni (përherë) të munguar në mes të dy shteteve.
Në të vërtetë, që prej atëherë është shënuar të thuash një ngecje e plotë në këtë dialog.
E vetmja e mirë në këto vite është avancimi sinjifikativ në vendosjen e rendit dhe ligjit të autoriteteve kosovare në Veriun e Kosovës.
Sidoqoftë, pa adresimin e mirëfilltë ligjor, politik dhe ndërkombëtar të rastit të Banjskës (i cili në të vërtetë u pasua edhe me atë minimin e gypave të liqenit të Gazivodës, në vitin 2024), është e pamundur që të kthehet mbarë procesi i dialogut të Kosovës dhe Serbisë.
Anasjelltas, nëse pra ndodhë ky adresim, atëherë kjo do të ishte shenjë e mirë që gjërat mund të vijnë në vete dhe që mund të ketë perspektivë për këtë dialog.