Topalli: Ligji për barazi është propagandë e qeverisë - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Topalli: Ligji për barazi është propagandë e qeverisë

NULL NULL
07.05.2015 18:36
“Ligji duket më shumë si një program politik, si një pamflet propagandistik. Ky ligj krijon vetëm kaos dhe vlera të rrejshme”, tha Topalli për projektligjin që sot e votoi, në parim, edhe partia e tij.

Deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli, duke folur në Info Magazinën e Klan Kosovës, mbi miratimin e projektligjit për Barazzi Gjinore, ka thënë se ajo çfarë u prezantua sot si projektligj është më shumë program propagandistik i Qeverisë.

“Projektligji duket më shumë si një program politik, si një pamflet propagandistik. Ligje të tilla pretendojnë të zgjidhin situatën, por në të kundërtën ato vetëm krijojnë kaos. Më mirë pa ligj fare sesa një ligj që thirret aspak në barazi. Ky ligj krijon vlera të rrejshme”, tha Topalli për projektligjin që sot e votoi, në parim, edhe partia e tij.

Topalli megjithatë kritikat nuk i ka ndalur vetëm tek paritet e koalicionit qeverisës. Ai ka thënë se “strukturat shtetërore dhe partitë politike, duke mos përjashtuar as Vetëvendosjen. në Kosovë janë të mbipopulluara nga burrat”, dhe institucionet e Kosovës dominohen në total nga ta.

“Nëse ka pabarazi gjinore, ka për shkak se gjinia mashkullore e krijon këtë barazi. Këtë e ka bërë me shekuj me radhë. Fakti që ne kemi 30-të deputete është mirë, por nëse shikon të gjithë strukturën e institucioneve në Kosovë dominon gjinia mashkullore. Kritika vlen për të gjithë, edhe për Lëvizjen Vetëvendosje”.

Si mbështetje mbi argumentimet e tij ai ka folur për pabarazinë që ekziston në ekzekutiv.

“Kemi një Qeveri me 22 ministra me vetëm një ministre. Qeveria nuk po jep sinjale për të bërë balancë gjinore. Që ky ligj të funksiononte duhej që ligji t’i vendosë këto masa të veçanta. Ligji përmend vetëm vlerat, por nuk ka normat që garantojnë barazinë mes gjinive”, tha Topalli.

Bashkëbiseduesja e Topallit në Info Magazinë, e ftuara tjetër, Laura Kryeziu, përkundër se ka pasur vërejtje, ajo e ka mirëpritur miratimin e projektligjit dhe ka shprehur optimizëm për të ardhmen.

“Më në fund u kuptua që femra është gjysma e popullatës dhe më në fund e miratuan ligjin”.

“Gratë nuk kanë ambient të përshtatshëm që të punojnë. Për mentalitetin në të cilin shoqëria jonë funksionon është e nevojshme që të kemi mekanizma si kuota gjinore. Megjithatë mentaliteti po ndryshon, femra ka filluar të pranohet më mirë në shoqëri”, ka thënë Kryeziu.

Ajo ka kritikuar formën e organizimit të partive politike rreth barazisë gjinore.

“Partitë politike nuk kanë nevojë të krijojnë forume të grave, por duhet të kenë gra të përfshira në poste partiake. Duhet të fillohet nga këtu. Gratë sigurojnë mjaftueshëm vota në zgjedhje, por në pazaret politike ato nuk marrin pozicione udhëheqëse në institucione”.

Deputeti Topalli ka shprehur habinë e tij me një nen të projektligjit.

“Një nen i ligjit thotë se mediat duhet të promovojnë barazinë gjinore, duhet të ndihmojnë rreth ngritjes së vetëdijes së barazisë gjinore. Kjo është e kotë, si mund t’i obligojë qeveria mediat të përfshihen në këtë ligj”.

Ligji mbi Barazinë Gjinore pritet që brenda dy javësh të amandamentohet, pastaj të kalojë nëpër komisione të ndryshme.

Projektligji për Barazi Gjinore ka kaluar sot me 65 vota pro, 3 kundër dhe 2 abstenime, pas një diskutimi të gjatë në Kuvend.