Lajmet e fundit

Një aksident i rëndë ka ndodhur të shtunën në parkun e argëtimit “Parque Warner Madrid”, rreth 25 kilometra larg kryeqytetit spanjoll.
Një 49-vjeçar është lënduar rëndë gjatë një vozitjeje në slitën elektrike “Batman Gotham City Escape”, ku dyshohet se ka rrëshqitur nga ulësja dhe është përplasur disa herë me vagonin.
Si pasojë, ai ka pësuar frakturë të hapur në këmbën e majtë dhe frakturë të mbyllur në këmbën e djathtë. I lënduari është transportuar me helikopter në spital, shkruajnë mediat gjermane, përcjell Klankosova.tv.
Pas incidentit, atraksioni është mbyllur dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Dëshmitarët kanë raportuar skena kaotike, ndërsa sipas mediave spanjolle, disa ushtarë që ndodheshin në park kanë ndihmuar në evakuimin e vizitorëve përmes një daljeje emergjente.