Lajmet e fundit

Pesë shtetase të huaja janë arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit të koduar “Last Meeting”, i zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, për goditjen e rasteve të dyshuara të ushtrimit të prostitucionit në apartamente të marra me qira ditore.
Sipas Policisë, aktiviteti dyshohet se reklamohej edhe në rrjete sociale dhe zhvillohej në tre apartamente të ndodhura në rrugët “Qemal Stafa”, “Him Kolli” dhe “Tomor Malasi”, transmeton Klankosova.tv.
Në pranga kanë përfunduar pesë shtetase të huaja: V. P., 40 vjeçe, P. K., 42 vjeçe dhe P. M., 33 vjeçe, të tria me shtetësi vietnameze, si dhe L. Y., 42 vjeçe dhe X. H., 42 vjeçe, me shtetësi kineze.
Në vijim të hetimeve, policia ka shpallur në kërkim një shtetas vietnamez, T. T., 35 vjeç, i cili dyshohet se u kishte siguruar, kundrejt përfitimit, kushtet për ushtrimin e kësaj veprimtarie tre prej shtetaseve vietnameze të arrestuara.
Ndërkohë, dy shtetas të tjerë janë vënë nën hetim, pasi dyshohet se përfitonin nga kjo veprimtari.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe pesë telefona celularë, të cilët, sipas Policisë, përdoreshin për publikimin e njoftimeve dhe reklamimin e aktivitetit në rrjetet sociale.
Operacioni u finalizua pas punës operative dhe monitorimit në hapësirën digjitale, me fokus evidentimin e rasteve të reklamimit online të prostitucionit të dyshuar në banesa me qira ditore në kryeqytet.