11:51, 22 Nëntor 2019

OSBE-ja ka prezantuar rezultatet e Anketës mbi Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë, në prag të 25 nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për

Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe fillimit të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit”.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili tha se gjithmonë mund të llogaritet në përkrahjen e tij kur në pyetje është përmirësimi i pozitës së gruas në shoqërinë kosovare, njofton Klan Kosova.

“Raportin e pranova me herët dhe i pashë të gjeturat e tij. U dëshpërova me pozitën e gruas dhe dhunën që ushtrohet ndaj saj, mirëqenien dhe sigurinë e tyre në shoqërinë kosovare. Traumat e thella të luftës, diskriminimi, përjashtimit dhe mohimi i të drejtave prekin thellë edhe gruan kosovare.

“E arritur është se në këtë anketë keni prekë vetë ajsbergun dhe jo vetëm majën e tij. Të gjitha hulumtimet tuaja kanë nxjerrë në pah të dhënat që kërkojnë debat në shoqërinë kosovare. Nuk bën vetëm konstatimin e gjendjes por jep edhe rekomandime për të përmirësuar gjendjen”.

Thaçi duke falënderuar OSBE-në tha se puna për avancimin e gruas sapo ka filluar dhe ka ende shumë punë për t’u bërë.

“Emancipimi i gruas në Kosovë do të thotë fuqizimi i shoqërisë, barazisë dhe dinjitetit. Me punën tuaj po ndihmoni debatin e përgjithshëm dhe si president i Kosovës ju jem mirënjohës. Të dhënat që do t’i shpalosni sot do të kontribuojë në një debat më të mirë dhe për të përmirësuar shoqërinë në përgjithësi”.

“Përkundër sfidave dhe historisë tonë kemi bërë hapa të mëdhenj, por ky është vetëm fillimi sepse kemi rrugë për të bërë që të avancojmë pozitën e gruas”.

“Me përkrahjen tuaj do të vazhdojmë përpara që çdo grua dhe vajzë të ndihet e lirë dhe e sigurt dhe për këtë gjë mund të llogarisni në përkrahjen time çdoherë”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë