Lajmet e fundit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Tërshani, ka kërkuar hetim të plotë dhe llogaridhënie institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Në një reagim në Facebook, Tërshani ka rikujtuar fjalët e Arlindës: “Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”, duke i cilësuar ato si një thirrje të rëndë që nuk duhet të kalojë në heshtje.
Ajo ka theksuar se Arlinda, sikurse shumë gra të tjera, kishte kërkuar ndihmë dhe iu ishte drejtuar institucioneve me shpresën se do të mbrohej.
“Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka nisur menjëherë mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës. Është e domosdoshme të zhvillohet një hetim i plotë, të zbardhet çdo veprim dhe mosveprim institucional dhe të ketë llogaridhënie të pakompromis për secilin dhe secilën që ka dështuar në përmbushjen e detyrës. Përgjegjësia duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe ligjit. Arlindës nuk mund t’ia kthejmë jetën. Por kemi detyrimin që zëri i saj të mos shuhet dhe që drejtësia për të të mos mbetet vetëm një premtim. Ngushëllime familjes”, shkroi mes tjerash Tërshani në Facebook./Klankosova.tv