“Terroristët kërkoni në Shkup” NULL NULL 27.04.2015 17:23 27.04.2015 17:23 Stanqiqi dhe banorët e saj nuk duan luftë, duan hapjen sa më shpejtë të kufirit, rrugë e cila tashmë nga pala kosovare është gati që në vitin 2008. “S’kemi përse e duam luftën. Andej shqiptarë-këndej shqiptarë. Kemi familje në gjithë rajonin e Karadakut. Tani mendojmë të punojmë dhe të jetojmë si më mirë. Luftërat kanë mbaruar”, thonë banorët e Stanqiqit, të cilët – për incidentin e javës së kaluar në karakollin e Goshincës, gishtin e drejtojnë drejt Shkupit zyrtar. “Atje kërkoni terroristët” Vedat MEMEDALIU Në një ditë të ngrohtë pranvere, gjithçka dukej qetë në fshatin kufitar Stanqiq të Komunës së Gjilanit. Shtëpi gjysmë të rrënuara, të ndërtuara dikur nga balta. Tre-katër familje gjithsej, të izoluara nga pjesa e urbanizuar e Kosovës. Dy-tre stalla kafshësh dhe lehje qensh lart në luginën e fshatit. Qetë dukej edhe në xhaminë e fshatit, ndërsa vetëm katër të rinj dhe jo më shumë se 10 më të moshuar iu drejtuan hyrjes së xhamisë për të falur namazin e së premtes. Asnjë lëvizje e rëndomtë, pos policisë kufitare të Kosovës, e cila nuk lejonte gazetarët të filmojnë brezin kufitar pa leje nga Prishtina zyrtare. Në xhami takuam edhe vëllezërit Bajrami – Kadriun dhe Erhanin, i pari i apostrofuar nga mediat maqedonase si komandant i grupit prej 40 personave të armatosur që javën e kaluar sulmuan karakollin e policisë në fshatin malor Goshincë të Likovës, ndërsa i dyti – Erhani, si logjistika kryesore e grupit. Takuam edhe Farukun. Asnjëri nga të tretë nuk u prononcua lidhur me akuzat se pikërisht ata janë autorë të sulmit në Goshincë. Thanë se nuk u besojnë mediave, ashtu siç nuk i besojnë edhe institucioneve të Maqedonisë. “Ju vet nuk i besoni atyre në Shkup. Atë që e kemi pasur për të thënë, e kemi thënë këtu në Kosovë”, thotë Faruku. Invalidi apostrofohet si komandant i grupit! Për Kadriun, Erhanin dhe Farukun flet familjari i tyre, Qail Halili nga fshati Zhegër i Gjilanit, fshat ky dy kilometra larg Stanqiqit. Qaili, një punonjës prej vitesh në administratën e Komunës së Gjilanit, thotë se me tre personat e sipërpërmendur, ditën kur ka ndodhur incidenti, ka pirë kafë në Zhegër. “Atë që e dëgjuam, sidomos emrat, s’kanë të bëjnë fare me të vërtetën. Është një montim klasik – përmendin emra tjerë, ndërsa aktorët e vërtetë i fshehin. Unë personalisht, ditën kur edhe përmendet se ka ndodhur incidenti, kam pirë kafe me dy nga tre personat që u përmendën se janë udhëheqësit e grupit. Me Farukun u takuam në një lokal në fshatin Zhegër, pasi edhe Erhani dhe Kadriu jetojnë në Zhegër. Madje, Kadriu është invalid lufte, nuk mund të lëviz mirë me këmbën e majtë. Pas luftës së Kosovës, pati rënë në një eksploziv – mine të serbëve në brezin kufitar me Maqedoninë. Dhe që atëherë, ai ka marrë statusin e invalidit, pasi nuk është i aftë të kryejë punë konkrete”, tregon Qaili, që njëherësh është edhe familjar i Kadri Bajramit, i apostrofuar nga mediat e afërta me pushtetin si njëri nga komandantët e grupit që sulmuan karakollin në Goshincë. “Ja, Kadriu ishte në xhami, ndërsa policia sapo kaloi. Po të ishte ky njëri nga komandantët, do të ishte arrestuar sigurisht. Në xhami e keni edhe Erhanin dhe Farukun, por policia jonë e di se nuk kanë asnjë lidhje me incidentin. 24 orë kemi kontrolle të rregullta të policisë kufitare, ndërsa lartë në kufi, kemi pesë pika të rregullta vrojtimi. Madje, kontrollet e përbashkëta me policët nga Maqedonia janë të përditshme. Dhe, kjo grykë nga fshati Zhegër drejt në kufi është e vetmja rrugë, edhe po të kesh krahë shqiponje të fluturosh, nuk ka rrugë tjetër por kësaj gryke që të çon drejt policisë. Dhe jo 40, por edhe i vetëm të jesh, do takohesh me policët”, ironizon Qaili. 65-vjeçatio Rrahim Dauti nga Stanqiqi, por që jeton në Gjilan, është më shumë se i informuar me situatën aktuale në Maqedoni. Ka dëgjuar në lajme për incidentin në karakollin e Goshincës, ndërsa qeshet kur e pyesim nëse me të vërtetë – rreth 40 persona të armatosur nga Kosova kanë hyrë dhe kanë sulmuar katër policë në Goshincë. “I gjithë Stanqiqi nuk ka 40 banorë, të mos flasim për të rinj. Aktualisht, në fshat jetojnë tre-katër familje. Kam dëgjuar gjerë e gjatë për budallallëkun që e thanë ata të Shkupit, gjoja të rinjtë tanë kanë sulmuar Goshincë. Pse tani doli kjo? Edhe ne e dimë se atje po dalin ca ‘bomba’ dhe dikush tani do që edhe neve t’na fus në lojë”, thotë Dauti, duke mohuar kategorikisht informatat se pikërisht banorë të këtij fshati ishin udhëheqësit e grupit të armatosur prej 40 vetave. “Ju është mirë t’u thoni atyre që të hapin kufirin dhe të shpejtojnë punët, pasi si vend i izoluar që jemi, të gjithë farefisin e kemi atje. Përpara, në kohën e Jugosllavisë, udhëtonin edhe në këmbë për në Likovë dhe Kumanovë dhe e kishim më afër se sa tani. Tani duhet të bëjmë 100 kilometra dhe të sillemi gjithandej për të arritur tek familjarët tanë”, thotë 65-vjeçari që Stanqiqit e viziton vetëm gjatë verës dhe pranverës. Thotë se lartë mbi fshat e ka zabelin me dru dhe pak livadh. Nëse është nevoja për luftë, thotë Dauti, e kemi Mitrovicën dhe jo Maqedoninë. “Por, për Mitrovicën, të huajt na thonë të mos bëjmë zë. Dhe e kemi mbyllur gojën. Për Maqedoninë, andej shqiptarë këndej shqiptarë, me kë të luftojmë? Nuk e do sot askush luftë, mjaftë më. Duam të jetojnë të lirë, të arrijmë dhe ne shqiptarët standarde të larta jetese”, thotë Dauti, që për 35 vjet ka punuar në Dyzeldorf të Gjermanisë. “Ne, kosovarët, nuk jemi për luftë” Problemin e hapjes së vendkalimit kufitar e thekson edhe Nexhat Imeri, ndërsa lajmi se udhqëheqësit e grupit të armatosur vijnë pikërisht nga Stanqiqi, nuk i bënë përshtypje. “Jeta në Stanqiq nuk është aspak e lehtë, sidomos ku e kemi kufirin e mbyllur me Maqedoninë. Mezi se bëhemi idare, ndërsa dikush na imponon incidente. Ne, kosovarët, nuk jemi për luftë. Tani duam të shijojmë demokracinë dhe shtetin e pavarur. Të gjithë mendojnë si të punojnë. Kjo zonë, që ndryshe njihet edhe si rajoni i Karadakut, jemi të lidhur ngushtë me ju andej, sidomos me Kumanovën dhe Likovën. Motra ime është e martuar në Sllupçan, ndërsa për t’i vizituar nipat, më duhet të shkojë në Ferizaj, Kaçanik, Shkup, Kumanovë dhe të arrij në Sllupçan. Ja shihni, ne e kemi mbaruar punën e asfaltimit të rrugës që 2008, ndërsa ju po e zhagisni më shumë se sa duhet”, ankohet Imeri, i cili e hap xhaminë e fshatit dhe bëhet gati për namazin e së premtes. Madje, Imeri thotë se personat që përmenden si udhëheqës të grupit që sulmuan Goshincën duhet të kërkohen në Shkup dhe jo në Kosovë. “Nuk ka kush që na heq bindjen se ky incident nuk u përgatit në Shkup, tek Qeveria. Këtu ka lëvizje, por vetëm të banorëve, të cilët kryekëput shohin punët e tyre. Këtë mund t’ua konfirmojë edhe policia, e cila vazhdimisht patrullon në këtë grykë kufitare. Unë nuk jam politikan që të di se çfarë duan ata në Shkup me këtë incident, por këtë duhet të pyesni atje”. MPB hesht për emrat Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë akoma nuk ka një emër të sigurtë se kush mund të qëndrojë pas sulmit të javës së kaluar në karakollin e Goshincës. Emri i Kadriut, Erhanit dhe Farukut mohohet të kenë dalë nga MPB, por edhe nuk demantohen. Madje, nuk ka një fletarrest ndërkombëtarë, ose një kërkesë drejtuar palës kosovare për të arrestuar ose marrë në hetime personat në fjalë. E vetmja deklaratë zyrtare është se, një grup prej rreth 40 personave, të armatosur rëndë dhe që kanë hyrë nga Kosova, sulmuan katër policët kufitar të Maqedonisë, ndërsa për disa orë, mbajtën peng policët që më pas t’i lirojnë të njëjtit. MPB nuk ka një deklaratë zyrtare as për emrin e Riga Begut nga Peja dhe Sami Ukshinit – Sokoli nga Gjakova, dy persona këto që nga gazeta e Beogradit “Blic”, u raportua se janë autorët e vërtetë të sulmit, ndërsa ishin paguar nga Qeveria e Gruevskit me rreth 2 milionë euro. Asgjë zyrtare s’kemi nga Maqedonia Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, e ka mohuar që kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, t’i ketë lajmëruar institucionet e Kosovës në mënyrë zyrtare për incidentin në Gushincë. Abrashi ka thënë për Indeksonline se jozyrtarisht, gjatë drekës me rastin e konferencës ‘Ëestern Balkans 6’ në Bruksel, Gruevski e kishte njoftuar kryeministrin Mustafa për një zhvillim në Maqedoni, mirëpo jo informatë zyrtare. “Pas kësaj nuk kemi pranuar asnjë informate zyrtare”, ka thënë Abrashi. “As Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka marr ndonjë informatë nga ministria përkatëse e Maqedonisë. Policia e Kosovës ka komunikuar rreth zhvillimeve, dhe Qeveria e Kosovës qëndron pranë këtyre komunikimeve”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Avokati i qytetarit që u rrah nga polici: Gjendjen e ka të rëndë, ka pësuar fraktura 16/06/2025
Kosova “Edhe kuzhinierët na kanë rrahë”, si u torturuan shqiptarët në Masakrën e Dubravës? (VIDEO) 16/06/2025
Lajme Irani i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së: Izraeli po kërcënon sigurinë globale 16/06/2025