22:37, 24 Janar 2020

Zyrtarët turq kanë njoftuar se të paktën 14 persona kanë mbetur të vdekur dhe më shumë se 300 të tjerë të lënduar pas tërmetit me magnitudë 6.8 shkallë të Rihterit që e ka goditur Turqinë lindore.

Në ndërkohë, deri tani raportohet se ka edhe shumë persona që kanë mbetur të ngujuar poshtë gërmadhave, shkruan TRT, transmeton Klan Kosova.

Sipas Agjencisë për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave, tetë persona kanë vdekur në provincën Elazig, derisa gjashtë të tjerë në provincën fqinje të Malatyas.

 

Njerëzit në Elazig, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar apo kanë frikë që të kthehen brenda tyre, janë duke u transferuar në Qendrat Studentore dhe ato Sportive për shkak të temperaturave të ulëta.

Më herët, Ministri i Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu, ka deklaruar se katër persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e tërmetit, duke shtuar se dy persona të tjerë janë lënduar në Sivrice ku edhe janë shembur 4-5 ndërtesa.

Soylu ishte në një takim ku po diskutohej për masat që duhej marrë lidhur me tërmetet, kur tërmeti edhe ndodhi.

Konkurs Pune

Lexo më shumë