Lajmet e fundit

Një 36-vjeçar nga Prishtina është arrestuar nga Policia Kufitare në Morinë, pasi dyshohet se tentoi të kontrabandonte në Shqipëri një sasi të konsiderueshme lëndësh piroteknike, me qëllim shitjen e tyre në Tiranë.
Sipas Policisë, shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në kuadër të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut për goditjen e paligjshmërive në kufi, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijë të dytë një automjet tip “Benz”, me drejtues shtetasin me inicialet G. M., transmeton Klankosova.tv.
Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar si provë materiale 11 kuti me gjithsej 691 fishekzjarre.
Sipas hetimeve paraprake, 36-vjeçari dyshohet se synonte t’i fuste në mënyrë të paligjshme në territorin e Shqipërisë, me qëllim shitjen e tyre në Tiranë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës bënë arrestimin në flagrancë të 36-vjeçarit. Ai akuzohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose kufizuara”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.