Lajmet e fundit

Sulmuesi anësor i Austrisë, Patrick Wimmer, ka folur para përballjes me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të Ligës së Kombeve.
Ai u pyet nga Klan Kosova për bashkëlojtarët e tij te klubi gjerman, Hoffenheim, Leon Avdullahu, Fisnik Asllani dhe Albian Hajdari.
“Po, i kam parë gjatë javëve të fundit te Hoffenheim. Të tre janë djem shumë të mirë dhe lojtarë fantastikë. Mendoj se të tre janë shumë të mirë me topin”, ka thënë Wimmer, njofton Klan Kosova.
“Fisnikun e njoh prej pak më gjatë, sepse ai ka luajtur te Austria Vjena dhe gjithashtu kemi qenë në të njëjtin klub”.
“Mendoj se Leoni, në mesfushë, është një lojtar që gjithmonë kërkon topin. Ai mund të japë pasime shumë të mira dhe gjithashtu di të bëjë presing ndaj kundërshtarit. Mendoj se është e vështirë të luash kundër këtyre lojtarëve”.
“Albionin, nuk e di... Mendoj se aktualisht është te Hoffenheimi për shkak të një dëmtimi. Ai nuk do të luajë nesër, por edhe lojtarët e tjerë janë shumë të mirë dhe është e vështirë të luash kundër tyre”, deklaroi Wimmer.
I pyetur nëse kanë folur për këtë përballje sa kanë qenë të grumbulluar me klubin, ai tha se pak kanë folur për këtë.
“Është më mirë që të luajmë bashkë. Tani do të jemi kundërshtarë dhe flasim pak për ndeshjen, por jo shumë”, theksoi sulmuesi austriak, Patrick Wimmer. /Klankosova.tv