Tarifat e reja të parkimit për lagjet e Tiranës NULL NULL 12.11.2015 09:48 12.11.2015 09:48 Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dje vendimin për parkingjet me pagesë. Pas një debati që ka zgjatur për rreth 3 orë, anëtarët e mazhorancës në këtë këshill dhanë votën pro edhe për krijimin e agjencisë “Tirana Parking” dhe tarifat e parkimit për tre zona të Tiranës. Ndërkohë që në vendimin final u përcaktua që për rezidentët parkimi do të jetë falas. Me të njëjtat vota u miratua edhe vendimi për indeksimin e rrogave të administratës së bashkisë nga e cila u përjashtua kryetari dhe katër nënkryetarët. Nga ana tjetër, këshilltarët opozitarë e bojkotuan votimin pas debateve të gjata mbi parkingjet në kryeqytet. Vendimet Pas rreth 3 orësh debat, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar vendimin për parkimin me pagesë për 71 rrugët kryesore të kryeqytetit. Sipas vendimit të miratuar aplikimi i tarifave të parkimit do të jetë i ndarë në 3 zona kryesore. Në zonën A, e cila përfshin qendrën e Tiranës, çmimi do të jetë nga 20 deri në 100 lekë. Në zonën B çmimi do jetë 40 lekë, ndërsa në zonën C tarifa do të jetë 20 lekë. Ata që nuk do të përfshihen në këtë skemë, janë rezidentët të cilët do të pajisen me kartë rezidenti që u siguron atyre parkim falas. Një gjë e tillë u konfirmua nga Veliaj i cili tha se projekti për tarifimin e parkimit të automjeteve sipas zonave nuk prek banorët që parkojnë në zonën ku jetojnë. Këshilltarët e mazhorancës dhanë votën pro edhe për indeksimin e pagës por duke miratuar propozimin e kryetarit Veliaj. “Ju kërkoj që të bëjmë një amendim, ku kryetari i bashkisë dhe nënkryetarët e bashkisë që janë titullarë politikë, të përjashtohen nga indeksimi i pagave që propozon ky projektvendim. Për pjesën tjetër, që është administrata e bashkisë, për këdo që ka punuar një ditë në shtet, dua t’i jap një të drejtë, indeksimi pagave është një rutinë që ndodh çdo vit. Ju e dini fare mire, ka inflacion në Shqipëri prej 2-3 % dhe ka 7 vjet që nuk është bërë indeksimi i pagave”, theksoi Veliaj në fillim të fjalës së tij çka u zyrtarizua edhe me votë më pas. Debatet Mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak të Tiranës e cila nisi me dy orë vonesë, u përfshi në debate mes këshilltarëve të djathtë dhe të majtë, për projektvendimin e parkingjeve me pagesë, ku këshilltarët e djathtë u shprehën se e majta nuk ka votat e duhura për të miratuar projektvendimin në fjalë. “Ju kërkojmë ta shtyni dhe ta rishikoni çështjen e gjobitjes së qytetarëve për automjetet që kanë. Sikur të mos mjaftonte gjobitja me siguracionet, tani e keni kthyer dhe tek parkingjet”, tha Leonard Olli në nisje të mbledhjes. Por vendosja e tarifave për parkingjet publike në Tiranë, sipas kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj do të disiplinojë sistemin e transportit, do të ulë trafikun si dhe do të shtojë të ardhurat e Bashkisë. Veliaj tha se tarifat do të jenë më të ulëta se ato që ekzistojnë aktualisht në Tiranë, ku përmendi rastin e mbi 3 mijë vendeve ku ora e qëndrimit kushton 1 mijë lekë. Për këshilltaren e majtë Erisa Spiropali, rasti i sheshit “Italia” duhet marrë shembull, pasi i jep zgjidhje problemit të parkimit. Kundër argumenteve të mazhorancës u shpreh këshilltarja e PD-së, Suzana Guxholli e cila tha se çmimet e përcaktuara janë shumë të larta të krahasuara me qytetet evropiane. “Tarifimi është shumë i rëndë për xhepat e shqiptarëve. Bashkia nuk është kompani që të mendojë për fitimet, së pari duhet të mendojë për qytetarët”, u shpreh Guxholli. Ndërkohë që kreu i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj kërkoi që projektvendimi të pësojë ndryshime. Rrokaj kërkoi që t’i hiqej e drejta kryetarit të bashkisë për shtimin e zonave të tjera të parkimit me pagesë. “0 kosto për qytetarin në zonën e vet, i cili do pajiset me kartën e rezidentit. E dyta, lidhur me hapësirat e reja të parkimit, e drejta e vendimit të mos i lihet kryetarit por këshillit. Edhe metodologjia mbi të cilën është ngritur tarifimi, na rezulton që është më ekonomike, përjashtimisht të ndonjë zone për të cilën i këshillojmë bashkinë që t’i rishikojë”, propozoi Rrokaj gjatë debateve, sugjerime këto të përfshirja në vendimin final. Veliaj: Tarifat e reja më të ulëta se aktualet Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e konsideroi si domosdoshmëri vendimin për parkingjet me pagesë. Ai theksoi se vlera është më e vogël nga tarifat aktuale të parkimit, që janë vendosur që në vitin 2003, kur çdo parkim i bashkisë tarifohej me 100 lekë/ora. “Bëjmë një zbritje për regjimin aktual që ka Bashkia e Tiranës. Sot kemi një regjim ku mbi 3 mijë vende parkimi tarifohen me 100 lekë/ora. Ajo që po na mundëson ky lloj tarifimi është se jo të gjitha rrugët janë njësoj, por rrugët në zonat më të largëta do të kenë një kosto më të ulët. Na jep fleksibilitetin që të kemi disa paketa”, tha Veliaj. Ai sqaroi se kushdo që dëshiron të qëndrojë më shumë orë, mund të pajisjen me abone, ku çmimi do të jetë i reduktuar. Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se ky fleksibilitet tarifimi mundëson që për ata që e kanë të nevojshme përdorimin e makinës, të kenë tarifa më të përballueshme se ajo aktuale dhe që aplikohet vetëm nga ata që bllokojnë vendet e parkimit në rrugë. Ai solli dhe shembullin e parkingut te sheshi “Italia” i sjell sot bashkisë 1000 euro fitim në ditë, ose 30.000 euro në muaj. “Ne kemi prodhuar një projekt pilot që tashmë po na prodhon një histori suksesi. Na duhet një agjenci e mirëfilltë që merret me parkingjet e qytetit, mund të kemi një menaxhim shumë më të mirë, të inkurajojmë përdorimin e makinave, transportit publik”, tha Veliaj./Shekulli *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Maksimoviqit i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh, avokati paralajmëron ankesë 3 minuta më parë
Lajme Vuçiq pas takimit me Quintin: Kërkova që KFOR-i të kujdeset për çështjet e sigurisë në veri të Kosovës 11 minuta më parë