12:23, 22 Maj 2019

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sot kanë mbajtur një takim ku kanë diskutuar për organizimin e mocionit të mosbesimit për rrëzimin e qeverisë.

Në një njoftim për media nga LDK kanë thënë se qeveria e koalicionit PAN nuk po e bëjnë punën e tyre në interes të vendit, se Kuvendi i Kosovës është jofunksional dhe se koalicioni qeverisës nuk përfaqëson shumicën në Kuvend.

“LDK vlerësoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje përmes votës së mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale ose përmes shpërndarjes së Kuvendit duke kërkuar nga të gjitha organet e LDK-së angazhim të plotë dhe të gjithanshëm për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme”.

“Mustafa dhe Kurti vlerësuan se edhe përkundër faktit që grupet parlamentare të LDK-së dhe të LVV-së bashkërenditën aktivitetin opozitar kundër qeverisjes së dëmshme dhe një mori skandaleve të kësaj qeverie dhe të këtij koalicioni, situata në Kosovë po përkeqësohet. Korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme”.

Gjithashtu u bë e ditur se në ditët në vijim, grupet parlamentare do të veprojnë në organizimin e mocionit.

Konkurs Pune

Lexo më shumë