Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe partneri i tij i koalicionit Hashim Thaçi, kanë thënë se do të provojnë që të gjejnë një zgjidhje me opozitën përmes dialogut. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se do të dialogojë me Qeverinë për të shkuar në zgjedhje.

7:30, 8 Shkurt 2016 Autor: L.M.

Ftesës së sotëm të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, i janë përgjigjur pozitivisht kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi, sepse, siç kanë thënë ata, dialogu është i nevojshëm për gjetjen e një zgjidhje, kurse kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se tek Presidentja do të shkojë për të kërkuar zgjedhjet e jashtëzakonshme, njofton Klan Kosova.

“Në këtë tryezë do të kërkoj që të shpërndahet parlamenti dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si e vetmja mundësi kjo për të dalë nga kriza”, ka thënë Haradinaj, kur ka shpjeguar arsyet që e kanë bërë t’i përgjigjet pozitivisht Jahjagës, ndryshe nga dy partnerët e koalicionit – Visar Ymeri i Vetëvendosjes, e Fatmir Limaj i Nisma-s.

Ndërsa kryeministri Mustafa, të shtunën, në një konferencë për media tha se “jemi që të gjitha çështjet t’i zgjidhim me dialogë dhe bisedë, bazuar në argumente dhe assesi që zgjidhja ta bëhet në rrugë dhe përmes dhunës”.

Kurse zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ftoi edhe të gjithë liderët opozitarë t’i përgjigjen ftesës për dialog, duke thënë se kjo është edhe një këshillë nga miqtë ndërkombëtarë të Kosovës.

Por Thaçi risiguroi se zgjedhje të reja nuk do të ketë, pos ato të rregulltat që pritet të mbahen në verën e vitit 2018.

Madje partnerët e koalicionit qeverisës, në konferncë të përbashkët për media, siguruan se president i ardhshëm i Kosovës, do të jetë Hashim Thaçi.

Agjendë ndryshe për këtë çështje ka bashkëbiseduesi i tyre i sotëm, Ramush Haradinaj.

Ai në mesin e gjashtëpikeshit e tij me kërkesat që e ka ndërmend t’i paraqesë sot tek Presidentja e ka të përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm.

“Do të kërkoj që zgjedhja e presidentit të bëhet me votë të drejtpërdrejtë nga populli”, ka thënë Haradinaj.

Por, prezantimin e këtyre pikave dhe takimin me Thaçin e Mustafën tek Presidentja, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, e ka quajtur flirtim të Haradinajt.

Çaushi e ka konsideruar takimin e Haradinajt me liderët e Qeverisë si “takim kundër protestës gjithëpopullore të 17 shkurtit” dhe “shkelje e rezistencës gjashtëmujore të opozitës së bashkuar”.

“Prandaj”, sipas Çaushit “ky takim është i gabueshëm për opozitën dhe i dëmshëm për Kosovën”.

Këtë kundërshtim të Çaushit e ka përfolur në një reagim zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj.

Nitaj, që ka akuzuar edhe disa media e analistë se po përpiqen ta përçajnë opozitën, ka thënë se ka pasur deklarata të “pamatura edhe nga VV, por edhe nga Nisma e AAK”.

“Sepse, gjithmonë do të gjendet dikush nga cilado parti, që në momente të caktuara do ta bëjë punën e huaj dhe do ta pi duhanin tinëz”, ka thënë Nitaj.

Por më i drejtpërdrejtë ka qenë vet Haradinaj.

Lideri i AAK-së ka thënë se “vlerësimet e individëve për qëndrimin tim dhe të AAK-së, në raport me këtë tryezë, i konsideroj ose të ngutshme, ose me agjendë”.

Kurse gazetari dhe analisti politik Halil Matoshi, përgjigjen pozitive të Haradinajt për takimin me Presidenten e ka parë si lëvizje për të parandaluar çfarëdo përplasje eventuale në mes të shoqërisë kosovare, por edhe të vet opozitës me perëndimin.

Matoshi mendon se tani ka ardhur në shprehje dallueshmëria në koncept mes partive që përbëjnë opozitën.

“Mendoj se ka dallime konceptuale mes AAK-se së Haradinajt dhe Vetëvendosjes së Kurtit dhe Nisma-s së Limajt. Ramush Haradinaj nuk lejon përplasje me ShBA-të dhe me Perëndimin dhe së dyti, ai nuk e dëshiron përplasjen e shoqërisë kosovare”, ka thënë Matoshi për Klan Kosovën.

Për Matoshin, Opozita ka qenë e bashkuar vetëm nga dy çështje nacionaliste – Asociacioni dhe Demarkacioni – dhe asnjëherë nga një përbashkim konceptesh.

Takimin e sotëm te Jahjaga e ka përkrahur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie. Madje, diplomati amerikan pritet të jetë edhe pjesëmarrës në takim mes liderëve, bashkë me Përfaqësuesin e BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar.

Oferta e Presidentes është përgëzuar dhe nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian dhe nënkryetarja e këtij institucioni të BE-së, Ulrike Lunaçek.

Kriza politike në Kosovë ka filluar me datën 22 shtator të viti 2015 kur në seancën e Kuvendi të Kosovës, deputetët e opozitës gjuajtën me vezë Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, duke e akuzuar se ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme për Kosovën, me Serbinë për Asociacionin dhe me Malin e Zi për Demarkacionin.

Herën e fundit kur ka pasur një takim të përbashkët mes liderëve politikë në Kosovë, Presidentes Jahjaga dhe një ambasadori amerikan, ka rezultuar me largimin e Isa Mustafës nga blloku i atëhershëm opozitar, koalicionin e tanishëm qeverisës, dhe zgjidhjen e krizës gjashtëmujore politike.

klankosova.tv

 

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë