Takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel: A do të ketë nënshkrime për planin evropian? (VIDEO) - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel: A do të ketë nënshkrime për planin evropian? (VIDEO)

NULL NULL
27.02.2023 10:21

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të përballen me njëri tjetrin për herë të gjashtë brenda periudhës dyvjeçare.

Por në tryezën e takimit të sotëm në Bruksel për dallim nga ata të kaluarit është propozimi evropian dhe pritet që palët të dakordohen për këtë dokument që njihet ndryshe si plani franko-gjerman.

Pas shtatë muajsh Kurti dhe Vuçiqi do të ballafaqohen me njëri-tjetrin, në orën 17:15, takim në të cilin takim do të jenë të pranishëm edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe i dërguari evropian për dialog, Miroslav lajçak.

Takimet e kryeministrit kosovar në kryeqyendrën evropiane nisin më herët. Ai do të jetë i pari lider që do të pritet në takim nga Borrelli. Ky i fundit pas Kurtit vazhdon takimet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Por, para se t’ia mësynte Brukselit, shefi i Qeverisë së Kosovës, pranoi letër nga tre liderët evropianë: presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni

Në këtë letër udhëheqësit evropianë kërkuan zbatimin e të gjitha marrëveshjeve Kosovë-Serbi përfshirë atë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Ndër të tjera në letrën e përbashkët të tyre, thuhet se mirëpresin deklaratat e liderit kosovar për gatishmërinë për të pranuar propozimin evropian në lidhje me “Marrëveshjen Themelore”.

Macron, Scholz e Meloni u shprehën të bindur marrëveshje është e një rëndësie thelbësore për të mirën e përgjithshme të qytetarëve, për zhvillimin paqësor dhe të begatë të rajonit dhe për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës.

Por kur u mbajt takimi i parë Kurti-Vuçiq?

Më 15 qershor të vitit 2021 ndodhi takimi i parë ku në krahë të liderit kosovar dhe atij serb ishin përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe emisari -së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

E nuk vonoi shumë dhe ndodhi edhe takimi i dytë. Vetëm një muaj më pas, saktësisht më 19 korrik 2021, Kurti e Vuçiqi u takuan sërish në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë në Bruksel. Ky takim ishte i ndërmjetësuar sërish nga dyshja, emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Shefi i qeverisë kosovare takoi sërish ballë përballë Vuçiqin, veçse asokohe në kuadër të Samitit Bërdo-Brijuni në Slloveni, që u mbajt më 6 tetor të vitit të kaluar.

Takimi mes tyre u pat realizuar në praninë e ish-kancelares gjermane Angela Merkel, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, në pushimin mes sesioneve.

Takimet e shpeshta që i patën gjatë vitit 2021, nuk i kishin njëlloj edhe në 2022-ën, pasi u bënë bashkë vetëm dy herë.

Më 4 maj të vitit të shkuar, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, priti në një takim Kurtin dhe Vuçiqin.

Takimi i fundit mes tyre u zhvillua në verën e kaluar, më 18 gusht, i ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari special për dialogun, Miroslav Lajçak.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.