11:43, 28 Janar 2020

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, në krye me liderët Albin Kurti dhe Isa Mustafa, do të takohen edhe një herë sot.

Por, ndryshe nga takimet e shpeshta që kanë pasur muajve të fundit, ata sot do të takohen me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë dhe me Shefen e Misionit të BE-së, Nataliya Apostolova.

Klan Kosova merr vesh nga burimet e veta se ky takim do të mbahet sot pasdite në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Në ndërkohë, ndonëse u paralajmërua se marrëveshja për bashkëqeverisje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së mund të arrihej përfundimisht dje, kjo nuk ndodhi.

I pari i LDK-së, Isa Mustafa, tha shkurtimisht se në takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, gjithmonë shkon për të arritur një marrëveshje.

“Ne jemi të vullnetshëm që ta përfundojmë marrëveshjen në mënyrë që të procedojmë edhe më tutje”, tha ai para gazetarëve derisa po futej në objektin e Kuvendit.

Optimist se dje mund të ishte fundi i bisedimeve dhe se qeveria do të krijohej nga Vetëvendosja dhe LDK-ja ishte edhe homologu i Mustafës, Albin Kurti.

“Unë e di se ka frustrim dhe ankth, por tash janë afatet kushtetuese, nuk do të prisni më shumë se fillimi i javës së ardhshme edhe teorikisht. Pra i ka ardhur fundi; prandaj edhe durimi po soset. Unë jam optimist se do t’i rrumbullakojmë pozicionet tona dhe do ta kemi koalicionin qeverisës”, deklaroi ai nga Prizreni.

Por, takimi që zgjati më shumë se tri orë përfundoi edhe njëherë pa epilog ndryshe se sa pajtimit për një takim tjetër.

Qysh prej zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë negociuar për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje – por, nuk kanë pasë sukses.

Bisedimet kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve për ndarjen e posteve, fillimisht atë të presidentit dhe më pas edhe të kryeparlamentarit.

Në ofertën e fundit publike që LDK-ja i bëri Lëvizjes Vetëvendosje – në të cilën vazhdon të insistojë akoma –  i ka kërkuar kësaj të fundit që të heqë dorë nga posti i kryeparlamentarit në vitin e parë të bashkëqeverisjes.

LDK-ja ka ofruar që pas një viti, kur ta ketë postin e presidentit me përfundimin e mandatit të Hashim Thaçit, t’ia kthejë postin e kryeparlamentarit Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, Vetëvendosja e Albin Kurtit ka thënë se nuk do të heqë dorë nga posti i kryeparlamentarit të cilin e mban Glauk Konjufca.

Në ndërkohë, afati kushtetues prej 15 ditësh është duke rrjedhur pasi presidenti Hashim Thaçi e ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin, si fituesi zgjedhjeve, për formimin e qeverisë.

Afati i fundit kushtetues për formimin e qeverisë në krye me Albin Kurtin është 4 shkurti./ Klan Kosova

Konkurs Pune

Lexo më shumë