Lajmet e fundit

Kryeministri Albin Kurti, dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pritet të takohen sot.
Siç mëson Klankosova.tv nga burimet e veta, takimi do të zhvillohet pasditen e kësaj të premte.
Ndërsa në fokus të diskutimeve pritet të jenë projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe çështja e zgjedhjes së presidentit.
Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani në emisionin "Kosova Today" tha se PDK-ja e ka shumë të rëndësishme Ligjin për Dhomat e Specializuara.
"Po flitet se do të jetë pasdite, kryeministri Kurti pak më parë ka bërë deklarim se kanë filluar komunikimet janë intensifikuar pasi kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë nga data e caktuar nga Gjykata Kushtetuese për shkuarjen në zgjedhje nëse nuk zgjedhet presidenti, rrjedhimisht edhe sot por edhe gjatë ditëve të tjera, sidomos ky vikend siç tha Kurti do të jetë vendimtar për çështjen e presidentit, në anën tjetër kemi PDK-në që në këto komisionet që po mblidhen mjaft shumë këto ditëve të fundit mbase edhe për t'i kryer në komisione ligjet që LVV do t'i kryej edhe në Kuvend nëse vendi shkon në zgjedhje ti ketë të përfunduara si çështje... PDK nuk po merr pjesë te asnjëra në fakt shkon por e tregon që për ta është e rëndësishme të diskutohet Ligji për Gjykatën Speciale dhe jo të tjera...", tha Tërshani.
Kurse, opinionisti, Ardian Gaxherri tha se PDK-ja duhet të bashkëpunojë me Kurtin nëse e ka të sinqertë kërkesën për këtë projektligj.
"Kurti duhet ta bëjë presidentin sepse është i pari me vota dhe i takon, në anën tjetër kush është ai që mund t'ia bëjë numrat është PDK, kush është partia që është në nevojën më të madhe që shteti të ec tutje dhe njëkohësisht që të luftohet për liderët e tyre është PDK. Dua të besoj në sinqeritetin e PDK-së lidhur me këtë projektligj sepse nëse e kanë me të vërtetë atëherë pavarësisht kushtit që e vendos Kurti, PDK duhet të shkojë me Kurtin", tha ai.
Në anën tjetër, analisti Dardan Krasniqi, komentoi deklaratat pas takimit të Kurtit me Ursula von der Leyen ku kryeministri tha se Dhomat e Specializuara theksuan qartë se UÇK nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare.
"Nga një njeri që krejt rrugëtimin e vet politik e ka "shko Hashim" nuk pres që ka ndonjë qasje për me thënë: "Eja Hashim", tha ai.