Lajmet e fundit

Gazetari Besnik Tahiri ka komentuar deklaratat e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj të djeshme në Kosovë.
Ai tha se Bashkimi Evropian i ka përcjellë Kosovës një mesazh të qartë për shmangien e një krize të re institucionale.
“Bashkimi Evropian e ka një kërkesë të qartë ndaj Kosovës, e që është mos me pas krizë tjetër institucionale. Dhe kriza institucionale, rrjedhimisht, e shtin në krizë tjetër pikërisht qasjen që mund ta ketë Kosova karshi apelimit të aktgjykimit të 16 shtatorit të Hagës. Do të thotë, ajo nuk e tha drejtpërdrejtë, mirëpo mesazhet e tilla kuptohen diplomatikisht të tilla si janë”, tha Tahiri.
Tahiri vuri në dukje edhe faktin se von der Leyen, sipas tij, në paraqitjet e mëparshme në Kosovë nuk e kishte vendosur në qendër të fjalimeve të saj çështjen e Dhomave të Specializuara.
Ai tha se këtë herë ajo e nisi fjalimin duke iu referuar reagimit emocional të qytetarëve të Kosovës.
“Fjalimin ajo e nisi pikërisht me idenë se qysh Kosova tha, e kupton edhe përgjigjen emocionale që e ka populli i Kosovës. Do të thotë, edhe kjo ishte e rëndësishme për idenë se Brukseli po i dëgjon edhe protestat e mëdha që po organizohen prej 16 shtatorit dhe po ashtu idetë politike që janë, siç është kjo e PDK-së për plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara”, u shpreh ai në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
Sipas Tahirit, në Bruksel ka interesim për propozimin për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Brukseli, jo dje, mirëpo qysh menjëherë është interesuar çka përbën kjo ide e ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara, sepse pa miratimin jo të Komisionit Evropian që udhëheq Ursula von der Leyen, por të Këshillit Evropian, që udhëheq ish-kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa, nuk mundet me ndodhë një gjë e tillë”, tha Tahiri./Klankosova.tv