Tahiri: Koalicioni është stabil, por tek posti i presidentit do të jetë një lojë tjetër NULL NULL 31.10.2020 14:43 31.10.2020 14:43 Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Tahiri po e konsideron stabil koalicionin qeverisës me LDK-në, por thotë se kur vjen koha tek zgjedhja e presidentit aty do të jetë një “lojë tjetër”, duke shtuar se pret reflektimin e partnerëve qeverisës për këtë temë. I dyti i ekzekutivit, duke shprehur këmbënguljen për këtë post, vlerësoi se shefi i partisë së tij Ramush Haradinaj është personi më i mirë në këto rrethana për president të vendit. Tahiri mohoi se të enjten në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, është diskutuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Madje, tha se kjo temë nuk do të hapet asnjëherë, pasi është çështje e brendshme e Kosovës. “Ne kemi një shumicë të ngushtë, por shumicë funksionale. Kur vjen puna tek presidenti, aty është lojë tjetër, diskutim tjetër. Ne e kemi kandidatin tonë, shpresojmë se të gjithë do të reflektojnë për shkak se për rrethanat që jemi është personi më konkurrues dhe më i mirë në këtë temë. Nuk është punë e heqjes dorë, ose punë e një parimi, sepse ne kemi pasur një votim. Mendojmë se kryetari Haradinaj do të bënte një punë të mirë në këto rrethana të vështira”. Ai për KosovaPress ka thënë se përmes kushtëzimeve Serbia po tenton që të zvarrisë arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Kosovën. “Asociacioni si temë nuk është hapur dhe nuk do të hapet. Është detyrë e Kosovës dhe si e tillë vazhdon të jetë. Është zotim programor politik i garantuar prej Kuvendit. Nëse ka një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale të njohjes reciproke, atëherë Kosova do ta bëjë dhe e ka obligim ta bëjë vetë Asociacionin, por jo të diskutohet dhe negociohet. Është çështje që nuk mund të negociohet, sepse është politikë e brendshme dhe është gabim. Ajo që dua t’i them qytetarëve të Kosovës është se është një strategji e kahmotshme e Serbisë që me Qeverinë Haradinaj u lidhën me taksën, derisa tash po lidhen me Asociacionin. Qëllimin e kanë shumë të thjeshtë – mos me zgjedh këtë problem, me vajtu në Bruksel dhe atje me marrë benefitet e veta e Kosova me mbet këtu ku është pa liberalizim, pa asgjë. I bëj thirrje BE-së që të kenë kujdes se kjo është një strategji shumë e fshehtë e Serbisë dhe kjo është publike, sepse dje janë marrë me taksën e sot po thotë Asociacioni”. Sa i përket kërkesës së opozitës për dorëheqje të Ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit Blerim Kuçi, zëvendëskryeministri Tahiri tha se kjo kërkesë është e tmerrshme, pasi nuk ka asnjë arsye që ministri të japë dorëheqje. “Kërkesa për dorëheqje të Blerim Kuçit për shkak se kompania ku është pronar paska fituar një tender në kohë të Albin Kurtit është e tmerrshme. Kjo është vetëm me ia vendos një etiketë. Kompania e tij e ka fituar një kontratë në kohën e Qeverisë Kurti, pse me dhënë ai dorëheqje. Për çfarë arsye?”. Tahiri foli edhe për miratimin e buxhetit në mbledhjen e djeshme të qeverisë ku tha se në buxhet është akomoduar programi qeverisës që përfshin edhe ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit, dhe jo pazaret politike. Pavarësisht se në tabelat buxhetore ka hyrë dhe ndërtimi i kësaj autostrade, Tahiri njoftoi se është ndarë vetëm një shumë sa për të filluar punimet, pasi në këtë kohë me pandeminë nuk kanë buxhet për ndërtim të tërësishëm të autostradës. “Ajo që do të them për këtë buxhet është se nuk ka qenë ushtrim i lehtë për arsye se është goditur shumë buxheti me pandeminë dhe mungesën e të hyrave. Ne kemi përfshirë në buxhet, jo diskutime dhe pazare politike, por programin qeverisës që e kemi pasur. Programi ynë qeverisës e ka përfshirë edhe Autostradën e Dukagjinit e cila e ka një shumë simbolike vetëm sa për të filluar. Pasi ne jemi në kohë të pandemisë duhet të jemi të sinqertë – nuk bëjmë ne autostrada, përderisa nuk kemi buxhet për gjëra elementare. Por, si pikë programore Autostrada e Dukagjinit është në buxhet”. Ndërkaq, ai deklaroi se kanë akomoduar kërkesat e gjithë kryetarëve të komunave në buxhetin për vitin e ardhshëm, e jo vetëm atyre që janë nga partitë e koalicionit qeverisës./ KP *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Dy të vrarë e 6 të plagosur në kryeqytet më 2024 - kritikë për masat ndëshkuese (VIDEO) 3 orë më parë
Kosova “Jam familjare e Kurteshëve, por s’më punësuan ata, u punësova me meritë” (VIDEO) 3 orë më parë