Szunyog: Rruga drejt BE-së për Kosovën dhe Serbinë kalon kah dialogu

Szunyog: Rruga drejt BE-së për Kosovën dhe Serbinë kalon kah dialogu

NULL NULL
4 days më parë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se vendit i duhet një Qeveri stabile, e cila mund mund të fokusohet tek zhvillimi afatgjatë dhe konsistent.

Ai në Rubikon ka theksuar se Kosovës i duhet edhe një Kuvend i cili mund të miratojë legjislacionin, sipas tij kjo dy vitet e fundit ka qenë një sfidë për deputetët.

“Mendoj që ajo që na duhet është një qeveri që është stabile, si dhe që mund të fokusohet tek zhvillimi afatgjatë dhe konsistent. Po ashtu, na duhet një parlament që mund ta miratojë legjislacionin, e kjo ka qenë sfidë e madhe, sepse në dy vitet e fundit, qeveritë janë fokusuar më shumë tek çështjet ad-hok, thjesht të mbijetesës, por fatkeqësisht po ashtu, në periudhën e fundit, kemi parë qeverinë që nuk arrinte as të kalonte ligjet e nevojshme në parlament. Pra, mendoj që nevojitet stabiliteti, si dhe nevojitet një qeveri me shumicë të qëndrueshme në parlament”.

Szunyog ka deklaruar se janë duke punuar për një udhërrëfyes që do të përcaktonte prioritetet e duhura të Kosovës drejt integrimeve evropiane.

“Kjo quhet Agjenda Evropiane e Reformës, jemi pajtuar vitin e kaluar bashkë me qeverinë paraprake që ta lansojmë në këtë moment. Tashmë jemi në procesin e finalizimit të asaj që e quajmë “ERA 2”, pra më parë kemi pasur “ERA 1”, po shpresojmë që qeveria e re ta finalizojë këtë dokument mjaft shpejt, në fakt mu këtë muaj. Pastaj, ky dokument duhet të përcaktojë qartësisht se cilat janë prioritetet, çfarë duhet të bëhet menjëherë, çfarë duhet të bëhet pas gjashtë muajsh, si dhe të tjerat. Pra, shpresojmë që kjo të bëhet, ashtu që të mund të fillojmë me implementimin real të atyre aktiviteteve që kemi paraparë në programin “ERA 2””.

“Këtë vit, jemi duke përgatitur Raportin e Progresit, që prapë do të jetë sfidues, sepse çfarë saktësisht mund të matim duke e krahasuar me tetorin e vitit të kaluar? Pra duhet të ketë fokus të fortë, si dhe fillim të shpejtë të zbatimit të programit “ERA 2”, pra edhe Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim”.

I pari i BE-së në Kosovë ka bërë të ditur se nuk mund ta këshillojnë Qeverinë e Kosovës se si ta strukturojë agjendën e integrimit evropian si dhe ka treguar pritshmëritë e tyre nga ekzekutivi.

“Ajo që ne presim nga qeveria, nga cilado qeveri në rajon, ka të bëjë me dy gjëra: Duhet të ketë ekspertizë solide teknike, pra të ketë një ekip njerëzish që e dinë se çfarë bëjnë, që e kuptojnë legjislacionin evropian, Acquis, Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, pra ekspertë teknikë. Së dyti, duhet të shohim pronësi lokale, por edhe lidership të fortë politik në trajtim të këtyre çështjeve, sepse në fund të fundit, mund të vijmë tek pika ku duhet të zgjidhen mosmarrëveshjet midis dy apo tri ministrive të ndryshme, apo që të ketë pajtim mes disa ministrive se cili është prioriteti numër një apo prioriteti numër dhjetë. Për këtë, na duhet lidership i fuqishëm politik. Aktualisht, po shohim një model, për herë të dytë në fakt, ku ka një zëvendëskryeministër për integrime evropiane, si dhe ne presim që kjo të funksionojë si dhe të sigurojë dy gjërat që sapo përmenda. Gjithsesi, duhet të ketë lidership të fortë nga ana e qeverisë, ne nuk jemi ata që imponojmë atë që duhet ta bëjë Qeveria e Kosovës”.

Ai ka pohuar se është i bindur se Kosova mund të integrohet në Bashkimin Evropian si pjesë e rajonit të Ballkanit.

“Në këtë drejtim, më lejoni të jem krejt i qartë: rruga drejt Bashkimit Evropian për Kosovën, por edhe për Serbinë, kalon kah dialogu. Kur dialogu të ketë sukses, kjo do të hapë dyert e integrimit evropian dhe hapave të mëtutjeshëm”.

“Prishtina dhe Beogradi duhet të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative, që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura, gjë që do të hapte rrugën e mëtutjeshme për integrimin evropian”, ka thënë Szunyog.