Sylë Hoxha tregon se Prokuroria po mbledh ende prova për rastin e gjashtë shtetasve turq NULL NULL 12.03.2019 16:37 12.03.2019 16:37 Në fund të këtij muaji, bëhet një vit që kur institucionet e sigurisë në Kosovë, dëbuan për në Turqi gjashtë shtetas turq. Gjatë këtij veprimi, është konstatuar se janë bërë shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut. Komisioni Hetimor Parlamentar që u formua për të hetuar se çfarë kishte ndodhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, kishte evidentuar 31 shkelje. Kryetari i këtij komisioni, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveqla, tha se pas identifikimit të të gjitha këtyre shkeljeve dhe përpilimit të raportit të ekspertit, kishin filluar presionet e ndryshme në punën e këtij komisioni. Këto shkelje, sipas deputetit Sveqla, jo vetëm që duhet të ndalen, por duhet të evidentohen dhe ata të cilët kanë bërë këto shkelje të ndëshkohen në mënyrë që të parandalohet përsëritja e këtyre lloj praktikave. Sipas tij, individë të plotfuqishëm apo grupe të caktuara të cilat ndihen të plotfuqishme, kanë kapur shtetin dhe mendojmë që mund të bëjnë çdo gjë sipas interesave të tyre private apo klanore. “Shantazhi me kuorum të punës së komisionit, ku deputetë të subjekteve qeverisëse, sa herë që nuk iu kanë pëlqyer rezultati i punës së komisionit, kanë lëshuar mbledhjen apo nuk kanë ardhur fare në mbledhjet e caktuara. Ne e kemi të qartë, raporti është i gatshëm, e gjitha çfarë është dashur të bëhet, ka qenë që ky raport të votohet, por votimi është pamundësuar për shkak të obstruksioneve të disa anëtarëve të komisionit”, tha deputeti Sveqla. Anëtari tjetër i këtij komisioni deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, tha se i kanë dorëzuar të dhënat në Prokurori dhe presin që kjo e fundit të kryejë punën e saj. “Vlerësimi jonë ka qenë që ka pasur rreth 31 shkelje, procedurale dhe madje edhe elemente të caktuara të veprës penale. Jemi të bindur që ka pasur vepra penale, një sërë veprash penale të kryera nga autoritetet shtetërore në këtë rast, dhe besojmë që Prokuroria e Shtetit do të arrijë që me të dhënat që ne i kemi ofruar, ta përfundojë punën e saj”, tha Selmanaj. Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë se hetimet për këtë rast kanë filluar vitin e kaluar. “Prokuroria Speciale e ka hapur rastin, qysh vitin e kaluar, është duke mbledhur prova prokurori i rastit edhe raporti i komisionit parlamentar që është dorëzuar në Prokurori, do të jetë pjesë e lëndës”, tha Hoxha Lidhur me presionin mbi punën e këtij komisioni, ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Përmes një deklarate për media, kjo ambasadë tha se “ka kaluar një vit që kur Kosova i ka dëbuar gjashtë shtetas turq, pa një proces të duhur, duke pretenduar se kërcënonin sigurinë kombëtare”. “Kemi qenë të lumtur për formimin e një komisioni hetimor parlamentar, i cili i ka ekspozuar shkeljet ligjore rreth incidentit, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij. Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë 31 shkelje ligjore ose procedurale nga Agjencia e Inteligjencës e Kosovës, Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera, ngrenë shqetësime lidhur me mashtrimin e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik”, thuhet në deklaratë. Përmes saj, ambasada u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të kërkojnë përgjegjësi të plotë nga kushdo që e shkel ligjin dhe i kujtoi liderët e Kosovës se “institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit të tyre kushtetues”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.