Lajmet e fundit

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë se protestat e organizuara të premten në 15 komuna të Kosovës, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, kanë qenë një përgatitje për marshin e 1 tetorit në Prishtinë.
Në një konferencë për media, Syla tha se organizime të tilla do të vazhdojnë deri në kthimin e bashkëluftëtarëve të tyre në shtëpi.
“Ka me pasë organizime të tilla deri në ditën kur bashkëluftëtarët do të kthehen në shtëpitë e tyre të pafajshëm”, tha Syla.
Ai u shpreh se protestat e së premtes kanë qenë një “nxemje” për atë që pritet të ndodhë më 1 tetor.
“Ajo ka qenë në njëfarë forme një nxemje e kësaj çka ka me ndodhë më 1 tetor. Edhe pas datës 1 tetor ne do të jemi të gatshëm me vazhduar me aktivitetet tona kundër kësaj padrejtësie, derisa zëri ynë ka me mbërri në ata vesh që duhet me dëgju për këtë padrejtësi që ka ndodhur më 16 shtator”, tha Syla.
Syla e cilësoi marshin e 1 tetorit si një nga organizimet më të mëdha të këtij lloji, ndërsa foli edhe për pritshmëritë për pjesëmarrje të madhe në marshin që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
"Më i madhi ndonjëherë që është organizuar për këtë padrejtësi. Nuk ka me i zënë sheshi "Skënderbeu", shtoi ai, njofton Klankosova.tv.
Më 1 tetor nën organizimin e platformës "Liria ka emër" nga ora 16:00 mbahet marshi me moton “Jo në emrin tim” në sheshin "Skënderbeu" në kryeqytet.