Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Sulmi në Ibër-Lepenc, PREVENT kërkon nga qeveria bashkëpunim me ndërkombëtarët  

NULL NULL
30.11.2024 19:34
sulmi terrorist iber lepenc
Një polic patrullon pranë kanalit të dëmtuar në veri të Kosovës, në Varagë, 30 nëntor 2024. Foto: Reuters

Instituti për Siguri dhe Reziliencë – PREVENT, ka dënuar fuqishëm sulmin sabotues dhe terrorist të kryer mbrëmjen e së premtes ndaj kanalit kryesor të Ibër Lepencit, në fshatin Vragë të komunës së Zubin Potokut.

“Sipas të dhënave zyrtare, sulmi ishte i qëllimshëm dhe synonte përhapjen e frikës dhe panikut në mesin e popullatës së Kosovës, duke tentuar gjithashtu destabilizimin e sigurisë në vend. Policia e Kosovës dhe mekanizma të tjerë të sigurisë kanë vlerësuar se sulmi ishte tejet i rëndë dhe i mirëorganizuar, me synim shkaktimin e dëmeve të mëdha ekonomike dhe energjetike në vend, si dhe ndërprerjen e qasjes së qytetarëve në ujë të pijshëm. Një sulm i tillë kompleks, është përgatitur, organizuar dhe ekzekutuar është kryer me përfshirjen e individëve ose grupeve të trajnuara për veprime sabotuese të sofistikuara, të cilat dushohen se janë trajnuar nga struktura shtetërore të Serbisë”, shkruan në komunikatë.

PREVENT tha se mbështet fuqimisht institucionet vendore të sigurisë dhe se kërkon një hetim të plotë e të paanshëm për të identifikuar autorët e këtij sulmi, të cilët duhet të përballen me forcën e ligjit.

“Për më tepër, Instituti përshëndet reagimin e partnerëve strategjikë të Kosovës, përfshirë NATO-n, SHBA-në, BE-në, KFOR-in dhe përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, për mbështetjen e tyre në menaxhimin e situatës së krijuar”.

Ky institut kërkoi që institucionet shtetërore të sigurisë dhe Qeverinë e Kosovës që të intensifikojnë bashkëpunimin me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në komunat veriore të vendit.

“Gjithashtu, Instituti PREVENT bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të tjera shtetërore, duke përfshirë edhe sektorin privat, që të përshpejtojnë procedurat për krijimin e mekanizmave të duhur shtetëror për zbatimin e plotë të ligjit mbi mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Ky bashkëpunim ndërsektorial është jetik për të parandaluar incidente të tilla në të ardhmen”, shkruan në komunikatë, përcjell Klankosova.tv.

PREVENT bëri thirrje ndaj bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi Serbinë për të ndaluar mbështetjen ndaj grupeve terroriste.

“Këto grupe, të cilat dyshohet se po mbështeten përmes trajnimeve, financave dhe armatimit, janë përgjegjëse për kryerjen e sulmeve terroriste në territorin e Kosovës”.

“Një qëndrim i qartë dhe i vendosur nga partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve dhe për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Instituti PREVENT thekson se përfshirja aktive e mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë është jetike për të ndaluar këto akte destabilizuese dhe për të ruajtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës”.

“Në fund, Instituti PREVENT apelon te të gjithë qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe të besojnë në kapacitetet e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë për menaxhimin e situatës. Gjithashtu, qytetarët inkurajohen të informohen vetëm nga burime zyrtare të institucioneve të sigurisë së vendit, duke shmangur lajmet e rreme ose keqinformimet që mund të qarkullojnë në media të ndryshme”.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.