10:47, 22 Prill 2019

Tre nga katër fëmijët e miliarderit danez Anders Holch Povlsen kanë vdekur në sulmet që ndodhën dje në Shri Lankë.

Ata kishin shkuar për vizitë në Shri Lankë për festën e Pashkëve.

Tre ditë para se të ndodhte ky rast tragjik, vajza e Povlsen, Alma kishte shpërndarë në Instagram një fotografi të dy motrave dhe vëllait të saj – Astrid, Agnes dhe Alfred – pranë një pishine duke i quajtur ata “tre arinjë të vegjël”.

Miliarderi danez dhe bashkëshortja e tij Anne e kanë konfirmuar vdekjen e tre fëmijëve të tyre, por nuk i kanë treguar emrat e tyre.

46 vjeçari Povlsen është pronari i Bestseller (brendet e modës Vero Moda dhe Jack&Jones) dhe aksionari më i madh i gjigantit të shitjes së rrobave ASOS, transmeton Klan Kosova.

Ai është pronari i dytë më i madh i tokave private në Mbretërinë e Bashkuar dhe pronari më i madh i tokave private në Skoci ku ka shpenzuar më shumë se 100 milionë euro në 12 prona.

Njeriu më i pasur i Danimarkës kishte thënë kohët e fundit se ai e ka në plan ta ruajë Scottish Highlands [male të njohura në Mbretërinë e Bashkuar] dhe t’ia lërë të gjitha tokat që ai zotëron fëmijëve të tij, kur ai të vdesë.

290 persona kanë vdekur dhe mbi 500 persona janë lënduar pas tetë sulmeve me bombë që ndodhën në kisha dhe hotele dje në Shri Lankë.

Shri Lanka është në shok pas shpërthimeve të së dielës së Pashkëve duke qenë Këto sulmet më vdekjeprurëse që nga përfundimi i luftës civile atje më 2009.

Konkurs Pune

Lexo më shumë