Sulmet në Paris: Përmbledhje e ditës së sotme, ja çfarë dihet deri më tani - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Sulmet në Paris: Përmbledhje e ditës së sotme, ja çfarë dihet deri më tani

NULL NULL
14/11/2015
Një përmbledhje nga KlanKosova.tv e asaj që ka ndodhur deri pasditen e së shtunës.

E gjithë media botërore po merret me zhvillimet në Francë, pas sulmeve terroriste, agjenci të ndryshme raportojnë për shifra të viktimave, vende ku janë bërë arrestime dhe dyshimet për sulme tjera.

Ja një përmbledhje nga Klan Kosova e asaj që ka ndodhur deri pasditen e së shtunës.

Policia belge ka bastisur një lagje në Bruksel ku dyshohet se kanë jetuar tre nga terroristët që sulmuan mbrëmë Parisin. Aty janë bërë disa arrestime.

Është mësuar se njëri nga sulmuesit në sallën koncertale Bataclan ishte shtetas francez 30 vjeçar, i cili ishte i njohur për policinë franceze për lidhjet e tij me Shtetin Islamik.

Një pasaportë siriane dhe një egjiptiane janë gjetur afër dy trupave që kanë kryer sulme kamikaze që për target kishin stadiumin nacional Stade de France.

Pasaporta siriane i ka takuar një refugjati që ka kaluar kufirin përmes Greqisë, bënë të ditur ministria në Greqi.

Autoritet gjermane kanë deklaruar se kanë fakte të konsiderueshme për të besuar se një i arrestuar në Bavari më herët këtë muaj në një veturë të mbushur me eksploziv, mund të jetë i lidhur me sulmet në Francë.

David Cameron ka thënë se Britania e Madhe duhet të përgatitet për viktimat britanike në Paris, por nuk ka dhënë më shumë hollësi. Ndërsa në mesin e të vdekurve deri tani dihet se ka, rumunë, tunizianë, belgë dhe suedezë.

Policia franceze po merrë në pyetje një shtetas francez 41 vjeçar, pasi që dyshohet se në një mënyrë është i lidhur me sulmet.

Shteti Islamik me anë të një deklarate ka marrë përgjegjësinë për sulmet e së premtes mbrëma dhe kanë kërcënuar se do të ketë edhe sulme të tjera.

Grupi Islamik thonë se këto vrasje ishin kundërpërgjigje për bombardimet që po u bëhen atyre në Siri, dhe kanë shtuar se Franca do të vazhdojë të mbesë “targeti kryesor”, për ta sulmuar.

Presidenti francez, Francois Hollande, ka thënë se ISIS është fajtor për terrorin e shkaktuar në Paris, ku u vranë të paktën 130 veta.

Hollande ka thënë se sulmet ishin “një akt lufte… i përgatitur dhe i planifikuar diku tjetër, me ndërhyrje nga jashtë. Ai ka theksuar se Franca do të jetë e pamëshirshme në përgjigjen e saj dhe ka shpallur tri ditë zije kombëtare.

Numri total i të vdekurve thuhet të jetë 127, derisa 200 janë të lënduar, 99 prej tyre shumë rëndë.

Liderët e shteteve botërore kanë shprehur zemërim, duke u zotuar për të ndihmuar Francën me hetimet në vazhdim. Barak Obama ka thënë se Amerika qëndron krah për krah me Francën.

Ndërsa Vatikani e ka cilësuar sulmin si “dhunë e çmendur terroriste”, njofton Klan Kosova.

klankosova.tv