16:49, 19 Qershor 2019

OSBE ka dënuar sulmet në KZAZ-të në disa qytete, ku mbështetës të opozitës tentuan të lironin hapësirat dhe të nxirrnin jashtë materialet zgjedhore. Përmes një deklarate dërguar mediave, OSBE thotë se kjo është një përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik në shkelje të ligjit.

Prezenca e OSBE në vendin tonë kërkon që të procedohen penalisht përgjegjësit e akteve të dhunës në këto KZAZ. OSBE u ka bërë thirrje edhe organizatorëve të protestës së opozitës më 21 Qershor që të garantojnë një demonstratë paqësore.

“Prezenca e OSBE-së i dënon me forcë sulmet e dhunshme të këtyre ditëve kundër organeve përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, në disa bashki në Shqipëri. Të gjitha proceset politike dhe administrative duhet të zhvillohen në përputhje me parimet e shtetit ligjor.

Çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, përbën shkelje të ligjit, pengon përparimin e vendit dhe njollos reputacionin e tij ndërkombëtar. Jo vetëm autorët e dhunës, por edhe nxitësit e saj, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore. Ne bëjmë thirrje që autoritetet shtetërore të ndërmarrin të gjitha masat, sipas legjislacionit në fuqi, për të hetuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e dhunës.

Gjithashtu, u bëjmë thirrje organizuesve të protestës së të premtes të sigurojnë një protestë paqësore. Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështetë shtetin ligjor dhe demokracinë në Shqipëri”, thuhet në reagimin e OSBE.

Mbështetës të opozitës sulmuan KZAZ-të në disa Bashki të vendit duke kërkuar lirimin e hapësirave në mbështetje të dekretit të Presidentit Ilir Meta, që ka anuluar datën e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit. /tvklan.al/

Konkurs Pune

Lexo më shumë