Lajmet e fundit

Sulmet ajrore ruse kanë vrarë një person dhe kanë plagosur dy të tjerë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ndërsa autoritetet kanë mbyllur qarkullimin në dy ura mbi lumin Dnipro, njoftuan autoritetet e qytetit.
Sipas zyrtarëve ukrainas, dronët rusë goditën të enjten një shkollë në Kiev dhe urën Jugore mbi lumin Dnipro, duke shkaktuar zjarre në disa zona të kryeqytetit.
Për shkak të sulmeve, qarkullimi në urën Jugore dhe në urën Paton u ndërpre, ndërsa kufizime të pjesshme u vendosën edhe në urën e Metrosë.
Autoritetet thanë gjithashtu se një zjarr shpërtheu në katet e sipërme të një ndërtese banimi në Kiev, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi në Telegram se dronët e saj goditën një urë mbi Dnipro në Kiev, një central energjetik në rajonin përreth, portin e Izmailit pranë Odesës dhe një anije mallrash.
Sipas Moskës, këto objekte përdoreshin për qëllime ushtarake.
Ndërkohë, në Rusi, dronët ukrainas shënjestruan objekte industriale në qytetin e Volgogradit, ku ndodhet një rafineri e madhe nafte.
Guvernatori i rajonit tha se sulmi shkaktoi zjarr dhe se një person u plagos pasi një ndërtesë banimi u godit.
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se sulmet ukrainase ndaj rafinerive të naftës në Rusi i kanë kushtuar vendit rreth 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sulmet kanë ndikuar edhe në furnizimin me karburant, duke shkaktuar radhë të gjata të automjeteve në pikat e karburantit.