Sukseset e sportit kosovar gjatë vitit 2021 NULL NULL 01.01.2022 21:01 01.01.2022 21:01 Sporti në Kosovë gjatë vitit 2021 ka arritur suksese të larta, ku sportistët edhe në vitin që po lëmë pas arritën të korrin suksese të larta si në arenën kombëtare ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Flamuri i Kosovës shpeshherë ishte pjesë e podiumit, me shumë fuqi të mëdha botërore, ku futbolli, xhudo, hendbolli, basketbolli, boksi, karate dhe sportet tjerat edhe njëherë treguan se Kosova ka një potencial të madh për arritjen e sukseseve të mëdha në arenën sportive. Futboll Kombëtarja e Kosovës Kosova gjatë vitit 2021 ka zhvilluar tetë ndeshje në kuadër të kualifikimeve për botëror, ku në fund përfunduan në vendin e fundit në grup me pesë pikë, pas tetë ndeshjeve, me një fitore, dy barazime dhe pesë humbje. Ndeshjet e para në kuadër të kualifikimeve “Dardanët”, i zhvilluan në muajin mars ndaj Suedisë ku u mposhtën me rezultat 0-3, dhe ndaj Spanjës ku pësuan prapë humbje 1-3. Teksa në muajin shtator i zhvilluan edhe tri ndeshje të tjera, ku ndaj Gjeorgjisë shënuan fitore me rezultat të ngushtë 0-1. Në përballjen me Greqinë barazuan 1-1, dhe në ballafaqimin e fundit në këtë muaj u mposhtën nga Spanja me rezultat 0-2. Në muajin tetor “Dardanët” humbën prapë nga Suedia me rezultat të njëjtë 0-3, teksa në ballafaqimin me Gjeorgjinë u mposhtën gjithashtu 1-2. Teksa në ndeshjen e fundit në grupe, Kosova arriti të barazojë me Greqinë 1-1. Golashënuesitë më më të mirë te Kosova në vitin 2021 ishte Vedat Muriqi me tre gola, Besar Halimi një gol dhe gjithashtu Amir Rrahmani me një gol. Futbollistët kosovar që shkëlqyen në arenën ndërkombëtare Ndër futbollistët që shkëlqeu në arenën ndërkombtare patjetër që ishte Amir Rrahmani, i cili në pjesën e parë të sezonit në Serie A, ishte fantastik, duke u paraqitur thuajse në të gjitha ndeshjet. Rrahmani me Napolin në këtë sezon ka zhvilluar 22 paraqitje, ndërsa ka shënuar dy gola. Kapiteni i kombëtares së Kosovës, së fundmi edhe është përzgjedhur si “Lojtari i Vitit”, nga Federata e Futbollit e Kosovës. Rrahamni pas formës fantastike që është duke e kaluar te skuadra napolitane, vlera në “Transfermarkt”, i është rritur në 22 milionë euro, ku është lojtari më i vlefshëm i kombëtares së Kosovës. Ndërsa në kampionatin francez me paraqitje të mira u dallua Elbasan Rashani, i cili në pjesën e parë të sezonit në Ligue 1, ka shënuar katër gola, teksa ka asistuar dy tjerë. Teksa prej lojtarëve të Kombëtares së Kosovës, gjatë afatit kalimtar të verës, Milot Rashica arriti që të transferohet në Premier League. Një tjetër lojtar që ka pasur paraqitje të mira në kampionatin italian është edhe Mërgim Vojvoda, te skuadra e Torinos, ku në pjesën e parë të sezonit ka zhvilluar 12 paraqitje në Serie A. Ndërkohë sulmuesi Vedat Muriqi erdhi me shumë bujë te skuadra e Lazios, nga Fenerbache, mirëpo nuk arriti të tregojë formën e njëjtë që e kishte te skuadra turke edhe përgjatë vitit 2021. Muriqi është duke u përfolur nga mediat italiane dhe turke se mund të kthehet prapë te Fenerbache, ose te rivali i tyre Galasataray, kjo mbetet të shihet gjatë afatit kalimtar të janarit. Në anën tjetër, Edon Zhegrova ka shpërthyer te skuadra e Baselit në kampionatin zvicëran, duke zhvilluar 15 paraqitje në të gjitha garat, teksa ka shënuar katër gola dhe ka asistuar gjashtë të tjerë. Superliga e Kosovës në futboll Në Superligën e Kosovës, Prishtina arriti të shpallet kampion i Kosovës për sezonin 2020-21, duke lënë prapa skuadrën nga Gjilani, Dritën. Prishtina arriti të fitoj më pas fazën preliminare të Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur kampionin e San Marinos, Folgoren në gjysmëfinale, me rezultat 2-0, dhe në finale Inter Escales poashtu me rezultat 2-0. Mirëpo, në raundin e parë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve, Prishtina u mposht nga Ferencvarosi me rezultat të përgjithashtu 6-1, në dy ndeshjet. Prishtina garat më pas i vazhdoi në Konference League, ku në rrethin e tretë shënuan fitore ndaj Connah’s Quay Nomands, duke e eliminuar, dhe duke u kualifikuar në raundin e tretë të kualifikimeve, ku do të eliminohen nga Bodo/Glimt, pavarësisht paraqitjes fantastike, ku edhe e mposhtën me rezultat 2-1, në stadiumin “Fadil Vokrri”, por në ndeshjen kthyese “Kryeqytetasit” në Norvegji u mposhtën me rezultat 2-0, ku edhe e përfunduan aventurën në garat evropiane, me një sukses të lartë. Llapi gjithashtu arriti ta fitoj Kupën e Kosovës, duke e mposhtur skuadrën e Ligës së Parë, Dukagjinin, në ndeshjen finale pas penalltive, me rezultat 4-3. Përveç trofeut historik, Llapi e siguroi edhe daljen në garat evropiane përkatësisht pjesëmarrjen në Konference League. Skuadra e Llapit aventurën në garat evropiane e përfundoi qysh në raundin e parë, duke u mposhtur nga skuadra e Shkupit, me rezultat të përgjithshëm 3-1. Në anën tjetër, Drita arriti të kalojë në raundin e dytë, duke e eliminuar skuadrën shqiptare nga Mali i Zi, Decic, duke e mposhtur me rezultat të përgjithshëm 3-1. Në raundin e dytë, “Intelektualët” u përballën me Feyenoordin, ku pavarësissht paraqitjes fantastike, në fund u mposhtën me rezultat të përgjithshëm 3-1. Ndeshja e zhvilluar në Prishtinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, përfundoi në barazim 0-0, teksa ndeshja kthyese në Roterdam, Feyenoordi me pak fat arriti që ta eliminoj Dritën, me rezultat 3-1. Sporti i Xhudos Një nga sportet që pati më shumë suksese gjatë vitit që po lëmë pas ishte padyshim ai i Xhudos, ku arritën të rrëmbenin shumë të arta gjatë këtij viti, si në Kampionatin Evropian, poashtu edhe në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”. Distria Krasniqi e nisi mirë vitin 2021 ku arriti të fitojë medaljen e artë në Mastersin e Dohas. Ajo e mposhti Funa Tonakin në finalen e Katarit, duke e nisur vitin 2021 në mënyrë mbresëlënse. Xhudistja kosovare është fituese e medaljes së artë në kategorinë deri në 48 kilogramë. Një e artë dhe dy të bronzta është bilanci i medaljeve të fituara nga ekipi Olimpik i xhudos, në kuadër të garës së Mastersit, që është mbajtur në janar të vitit 2021 në Doha të Katarit. Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë, Majlinda Kelmendi (-52 kg) e Nora Gjakova (-57 kg) fituan të bronztën. Ndërsa në Kampionatin Evropian në xhudo që është mbajtur në Lisbonë të Portugalisë, xhudistët nga Kosova rrëmbyen dy medalje të tjera të arta. Xhudistja kosovare Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Kampionin Evropian duke u bërë kampione evropiane në kategorinë deri 48 kilogramë, pasi e mposhti në finale ukrainasen Daria Bilodid, e cila është kampione e dyfishtë botërore dhe evropiane. Ky ishte titulli i parë evropian për senior për xhudisten kosovare. Ajo kishte një medalje argjendi të fituar në vitin 2018 dhe një tjetër të bronztë në vitin 2020. Por, përpos Distrias, ekipi kosovar në xhudo ka arritur të fitojë edhe vendin e tretë duke marrë medalje të bronztë me xhudisten Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë duke e mposhtur gjeorgjianen Eteri Liparteliani. Teksa xhudisti kosovar, Akil Gjakova, ka arritur të bëhet Kampion i Evropës në garat e xhudos që janë mbajtur në Lisbonë të Portugalisë. Në garën finale Gjakova e ka mposhtur izraelitin Butbul. Në këtë kampionat, përpos Akil Gjakovës, Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës, Kosovën e kanë përfaqësuar edhe katër xhudistë tjerë: Flaka Loxha, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka. LOJERAT OLIMPIKE 2020 Kosova në lojërat olimpike “Tokyo 2020”, ka marrë pjesë me 11 sportistë të sporteve të ndryshme. 11 sportistët që kanë marrë pjesë vijnë nga gjashtë sporte të ndryshme: xhudo, mundje, atletikë, not, boks dhe shenjëtari sportive. Majlinda Kelmendi (xhudo) në kategorinë -52 kilogramë; Distria Krasniqi (xhudo) në kategorinë -48 kilogramë, Nora Gjakova (xhudo) në kategorinë -57 kilogramë, Lorjana Kuka (xhudo) në kategorinë -78 kilogramë, Akil Gjakova (xhudo) në kategorinë -73 kilogramë dhe Egzon Shala (mundje) në kategorinë -125 kilogramë në stil të lirë”. Donjeta Sadiku (boks), kategoria 57 deri 60 kilogram, Drilon Ibrahimi (shenjëtari sportive) në 10 metra pushkë ajrore, Musa Hajdari (atletikë) në disiplinën 800 metra vrapim, Eda Zeqiri (not) në disiplinën 400 metra stil i lirë dhe Olt Kondirolli (not) disiplina 100 metra, stil i lirë. Padyshim që medalje Kosovës i sollën dy xhudistet, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova. Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, ku e mposhti xhudisten japoneze Funa Tonaki, në kategorinë deri në 48 kilogramë. Xhudistja Nora Gjakova ka bërë historinë duke ia sjellë Kosovës medaljen e dytë të artë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, pasi në finale mposhti francezen Sarah Leone Cysique. Fitorja e Gjakovës ia ka siguruar Kosovës medaljen e dytë të artë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, ndërsa në përgjithësi Kosova ka tri të arta. Xhudisti kosovar Akil Gjakova është mposhtur nga azerbajxhanasi Rustam Orujov duke e humbur kështu mundësinë që ta fitoj medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”. Gjakova në çerekfinale u mposht nga Tsendochir Tsogtbaatar në vazhdime pasi katër minutat e rregullt nuk prodhuan fitues. Ndërsa, medalje ka siguruar motra e Akilit, Nora, e cila kaloi në finale pasi në gjysmëfinale e mposhti japonezen Tsukasa Yoshida. Loriana Kuka ka pësuar humbje nga rusja Alrksandra Babinsteva në Lojërat Olimpik “Tokyo 2020”. Kjo është hera e parë që Loriana merr pjesë ndonjëherë ne Lojëra Olimpike. Në fund të vitit gjitha këto suksese iu shpërblyen trajnerit Driton Kuka, i cili u shpallë trajneri më i mirë në botë nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos. Në anën tjetër, Distria Krasniqi u shpall xhudistja më e mirë në botë për vitin 2021, pas sukseseve të larta përgjatë vitit 2021. Basketboll Vitin 2021, Sigal Prishtina e nisi shumë mirë duke e fituar trofeun e parë. Prishtina në finale e Kupës së Kosovës, e mposhti Golden Eagle Yllin me rezultat 82-76. Në Superligën e Kosovës në Basketboll, Golden Eagle Ylli e ka mposhtur Pejën në finale të “play-offit. Ylli u shpall për herë të parë kampion i Kosovës, pasi në finale triumfoi ndaj Pejës me seri 3-0. Hendboll Besa Famgas ka vazhduar dominimin e plotë në hendbollin e Kosovës në konkurrencën e meshkujve. Besa e Pejës gjatë sezonit 2020-21 i fitoi të gjitha ndeshjet, teksa kampione u shpall për herë të shtatë rreshtë. Me dy fitore bindëse ndaj Prishtinës, Besa Famgas fitoi titullin e kampionit. Teksa edhe në stinorin vjeshtor Besa Famgas e ka mbyllur në vendin e parë me 14 fitore nga po aq ndeshje. Artet mikse marciale Arlind Berisha e ka fituar medaljen e artë në Kupën e Botës U21 në artet mikse marciale, që është mbajtur në Pragë të Republikës Çeke. Ai e mposhti ukrainasin Yaroslav Strilets me submission duke detyruar kundërshtarin ta dorëzojë meçin,. Kjo është medalja e parë për Federatën e Arteve Mikse Marciale, e cila debutoi me Arlindin në garat ndërkombëtare. Federata e këtij sporti në vendin tonë është themeluar vitin e kaluar. Bodybuildingu Kushtrim Bajraktaraj është bërë nënkampion bote në Kampionatin Botëror të Bodybuildingut, kategoria -80 kg, që është mbajtur në Santa Sussana të Spanjës. Në Kampionatin Botëror IFBB që është mbajtur në qytetin e Santa Sussana në Spanjë, Bajraktaraj zuri vendin e dytë duke u shpall Nënkampion Botëror në Bodybuilding. Karate Kombëtarja e Kosovës në Karate për femra në Kampionatin Evropian që është mbajtur në Kroaci, në qytetin Poreç, ka arritur që të zërë vendin e 7-të në këtë garë ekipore. Vashat e Kosovës regjistruan dy fitore, ndaj Polonisë dhe Malit të Zi, për të arritur deri në çerekfinale, ku u mundën nga Franca. Kombëtarja jonë përmes repesazhit ka mundur të futet në luftë edhe për medaljen e bronztë, por eliminimi nga Franca në gjysmëfinale, ua pamundësoi këtë qëllim. Në këtë mënyrë në kampionatin evropian ”Poreç 2021”, Kosova përfundoi e shtata në mesin e 34 shteteve pjesëmarrëse. Ndërsa, në Kampionatin Ballkanik të karatesë, që është mbajtur gjithashtu në Poreç të Kroacisë kanë fituar medaljen e bronztë. Djemtë tanë mposhtën Malin e Zi, humbën nga Turqia, ndërsa në luftën për medalje mundën Bullgarinë. Kosova fitoi edhe tri medalje tjera në individuale. Elhami Shabani fitoi të argjendtën, ndërsa Herolind Nishevci e Fortesa Orana të bronztën. Ekipi i karatesë është përfaqësuar në Kampionatin Ballkanik me 11 garues. Kjo ishte e gjitha një përmbledhje me sukseset që ka arritur sporti dhe sportistët kosovar përgjatë vitit 2021. /Klankosova.tv/ *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.