Statovci-Dema: Po punohet për vizat, Demarkacioni e korrupsioni pengesë NULL NULL 03.02.2017 11:11 03.02.2017 11:11 Zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane, Anila Statovci-Dema ka raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Ajo ka thënë se po punohet shumë në plotësimin e agjendës së integrimeve evropiane, ndërsa ka përsëritur se liberalizimi i vizave nuk është bërë për shkak të mos përmbushjes së dy kritereve, Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi si dhe luftës kundër korrupsionit. Statovci-Dema ka thënë poashtu se në kuadër të kriterit për luftimin e korrupsionit, Prokuroria Speciale ka bërë punë të mirë duke shënjestëruar 34 raste të korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe duke ngritur 25 aktakuza e vendosur tre lëndë në shkallë të parë. Sipas saj, pavarësisht arritjeve, lufta kundër korrupsionit është një luftë e vazhdueshme, njofton Klan Kosova. Por, me këtë nuk është pajtuar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi e cila ka thënë se pavarësisht shifrave të përmendura në luftën kundër korrupsionit, Kosova është akoma në vendin e 95-të në botë për korrupsion. Zëvendësministrja e Integrimit para Komisionit ka folur edhe për MSA-në duke thënë se deri tani është bërë punë e mirë dhe se janë takuar nënkomitete të ndryshme. Ajo ka bërë ditur poashtu se në muajin prill, pritet që në Kosovë të vijë komisionieri Johannes Hahn. Këtu ka folur edhe deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri i cili ka thënë se janë arritur suksese në fushën e integrimeve pasi janë plotësuar 99 kritere. Sipas tij, Demarkacioni si kusht duhet plotësuar ani pse sipas tij, është kusht i padrejtë por që është kusht që vjen si rrjedhojë e obligimeve ndërkombëtare që ka Kosova.