Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Spiropali në Konferencën e Kryetarëve në KiE: Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës

NULL NULL
20.03.2025 14:53

Kryetarja e parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali mori pjesë sot në Konferencën e Kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, e cila zhvillohet në datat 20-21 mars në Strasburg.

Gjatë fjalimit të saj Spiropali theksoi rëndësinë e forcimit të demokracisë në Shqipëri dhe përparimin e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Spiropali u ndal në disa aspekte kyçe të zhvillimeve të Shqipërisë gjatë 30 viteve të fundit.

“Demokracia nuk dobësohet brenda natës, dhe as nuk mbetet e fortë pa përpjekje. Nëpër Evropë tablotë politike po ndryshojnë, besimi tek institucionet po testohet dhe forcat e jashtme kërkojnë të manipulojnë opinionin publik. Rrallëherë ndodh që këto ndryshime të njoftohen qartësisht; ato shpalosen gradualisht, duke riformatuar normat, duke ndikuar tek qeverisja dhe duke sfiduar themelet ku ne mbështetemi”, tha Spiropali.

“Shqipëria e ka përjetuar në vetë të parë sa e brishtë dhe njëkohësisht sa e fortë mund të jetë demokracia. 30 vite më parë, kur Shqipëria u pranua anëtare e Këshillit të Evropës, pas një izolimi absolut, demokracia për shqiptarët ishte ende vetëm një ideal, sundimi i ligjit sapo kishte nisur të zëvendësonte partinë-shtet dhe partinë-ligj, dhe të drejtat e njeriut, sidomos ato politike, fetare e të pronës kishin filluar të shndërroheshin në një aspiratë për qytetarët. Shqipëria, 30 vjet pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ka arritur para portave të Bashkimit Evropian, me arritje thelbësore e të prekshme në tri shtyllat kryesore të organizatës të madhe evropiane”, shtoi Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në procesin e integrimit me Bashkimin Evropian. Sipas kryeparlamentares, Shqipëria është lider në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin evropian të vendeve të rajonit.

Ajo foli edhe për Kosovën me ç’rast tha se Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Evropës

“Kosova, ku nënvizoi se Këshilli i Evropës nuk është i plotë me mungesën e shtetit më të ri të Evropës. Kryetarja e Kuvendit kërkoi që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës.

“Vështirë të gjendet një shtet tjetër që pas 26 vitesh liri dhe 17 vitesh pavarësi të ketë ndërtuar një demokraci vibrante si Kosova. Prandaj pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili ka mbështetjen e Asamblesë Parlamentare, është kërkesa më e rëndësishme e Kryetares së Parlamentit të Shqipërisë ndaj kësaj konference”, tha Spiropali, raporton Atsh, transmeton Klankosova.tv.

“Demokracitë në vendet tona nuk mund të lulëzojnë në mënyrë të qëndrueshme ndërkohë që sulmohen liria, sovraniteti dhe integriteti i kombeve. Prandaj mbështetja jonë e palëkundur për Ukrainën kundër agresionit të Rusisë nuk është vetëm një kontribut për paqen e sigurinë, por edhe për mbrojtjen e vlerave dhe sistemin demokratik në vendet tona”, e përmbylli Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali fjalën e saj të mbajtur në Këshillin e Evropës.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.