Spanja pengon pjesëmarrjen e karateistëve kosovarë në Evropian NULL NULL 21.03.2023 22:57 21.03.2023 22:57 Kampionati Evropian i Karatesë për seniorë do të mbahet në Guadalajara të Spanjës nga data 22 mars deri më 26 mars. Ngjarja do të vendosë se kush do të sundojë Karatenë në kontinent. Ndeshjet do të zhvillohen në sallën sportive “Palacio Multiusos de Guadalajara, ku do të kurorëzohen mbretërit dhe mbretëreshat e reja të Karatesë Evropiane. Por në këtë ngjarje madhore nuk do të marrin pjesë karateistët kosovarë, të cilët tashmë kanë udhëtuar drejt Spanjës. Ata janë kushtëzuar nga organizatori Spanja, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, që të mos luajnë me simbolet shtetërore, dhe për këtë kanë hequr dorë nga pjesëmarrja. Këtë e ka konfirmuar për Klankosova.tv selektori Ylber Syla, i cili ka thënë se mungesa e përfaqësimit të barabartë, ka bërë që të mos garojnë fare. “Nuk merret pjesë në Evropian pa pasë përfaqësim të barabartë, andaj nuk do të garojmë fare”, ka thënë Syla për Klankosova.tv. Ndryshe, boksieres kosovare Donjeta Sadiku, vetëm një javë më parë iu pamundësua garimi në Kampionatin Botëror të Boksit, që u mbajt në Indi, për arsye të njëjtë – u kushtëzua që të mos garojë me simbolet shtetërore. Federata e Karatesë së Kosovës me një problem të tillë është ballafaquar edhe në Qipro, një shtet tjetër që nuk njeh pavarësinë e Kosovës, ku nuk i lejoi karateistët të marrin pjesë në Kampionatin Evropian. /Klankosova.tv. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.