Sot një vit nga ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë NULL NULL 14.10.2015 10:15 14.10.2015 10:15 Sot bëhet një vit nga takimi Serbi-Shqipëri, një ndeshje që do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithë shqiptarëve. Ndeshja e mbrëmjes së 14 tetorit në Beograd do të shoqërohej nga incidentet që në minutat e saj të para. Fillimisht, himni i Kombëtares Shqiptare u fërshëllye nga tifozët serbë, të cilët hodhën në fushë sende të forta e fishekzjarrë. Ndërsa në minutën e 42-të të ndeshjes, një flamur me fotot e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit do të zbriste nga lart nëpërmjet një droni. Prania e flamurit në fushën e “Partizanit” të Beogradit i acaroi tifozët dhe lojtarët serbë. Lojtari serb, Mitroviç, arriti të kapte flamurin dhe tentoi ta griste, ndërsa lojtarët Andi Lila dhe Taulant Xhaka ndërhynë. Kjo shkaktoi acarimin e tifozëve serbë, të cilët hynë në fushë. Kombëtarja shqiptare doli nga fusha dhe ndeshja u ndërpre, për të mos rifilluar më. Përgjegjësinë për hedhjen e dronit e mori Ismail Morina, një djalë nga Kukësi. Pas ndërprerjes së ndeshjes, Komisioni i Disiplinës në UEFA e dënoi Shqipërinë me humbje ndaj Serbisë me rezultatin 0-3 në tavolinë. Por pas ankesës në gjykatën e arbitrazhit sportiv, tri pikët iu dhanë kombëtares shqiptare. Javën e kaluar, Shqipëria u përball sërish me Serbinë, kësaj radhe në stadiumin “Elbasan Arena”. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2 me 0 për Serbinë, por pa u shënuar asnjë incident gjatë saj. Tri ditë pas ndeshjes me Serbinë, Kombëtarja shqiptare fitoi 3-0 ndaj Armenisë, rezultat që i dha kualifikimin për në Kampionatin Europian, një kualifikim që Serbia nuk mundi ta arrinte./Supersport *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.