21:53, 23 Maj 2020

Kryetari i komunës së Rahovecit ka uruar qytetarët me rastin e Fitër Bajramit.

Latifi në urimin e tij ka kërkuar nga qytetarët që të mos bëjnë vizita tek të afërmit për shkak të gjendjes së pandemisë, njofton Klan Kosova

Ky është urimi i plotë i Smajl Latifit:

Të nderuar bashkëqytetarë të Rahovecit, familjarë të dëshmorëve e martirëve, familjarë të të pagjeturve, ju bashkëkombës e ju qytetarë të besimit islam kudo që jeni, më lejoni që të shfrytëzoj rastin, t’ju uroj festën e Fitër- Bajramit, e cila vjen menjëherë pas përfundimit të Muajit të Bekuar të Ramazanit!

Solidarizimi me të varfërit është mesazhi kryesor që kjo festë na kujton të gjithëve, andaj dua t’ju falënderoj të gjithëve që keni shprehur gatishmërinë që në secilën mënyrë, të ndihmoni të gjithë ata që kanë nevojë, në ditë jo të lehta për shumë prej nesh.

Nesër është ditë feste, ditë së cilës i gëzohemi të gjithë. Le t’ia shtrijmë njëri-tjetrit dorën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, duke mos këmbyer vizita me më të afërmit, për shkak të gjendjes pandemike, kësaj here Bajramin e Madh, jemi të detyruar ta festojmë pa aktivitete publike, andaj shpresoj dhe besoj që do të hasim në mirëkuptimin tuaj.

Kjo festë shënon përmbylljen e muajit të agjërimit, i cili është muaj i vlerave të humanizmit, sikurse janë paqja, mirëkuptimi, toleranca dhe solidariteti ndërnjerëzor. Këto vlera nuk i kanë munguar asnjëherë popullit tonë dhe ne sot duhet të angazhohemi të gjithë në forcimin e këtyre vlerave. Na presin shumë punë për të bërë, sigurisht, bashkërisht do të arrijmë më shumë.

Le të mbretërojë festa në familjet e çdonjërit, le të jetë ky Bajram i përbashkët për të gjithë! Urime këtë festë të madhe dhe Zoti ua pranoftë të gjithë atyre që agjëruan muajin e Ramazanit!

Në rrugëtimin tonë si shtet e shoqëri, qofshim gjithmonë krah për krah, paqit shëndet e gëzime në familjet tuaja!

Me fat Bajrami i Madh!

Konkurs Pune

Lexo më shumë