“Skandali i Xhamajkës”, Mushkolaj: Nëse vërtetohet se është ‘fake news’, Çitaku të dorëhiqet (VIDEO) NULL NULL 21.02.2020 18:49 21.02.2020 18:49 Analisti politik Imer Mushkolaj e ka komentuar çështjen e (mos) njohjes nga Xhamajka. “Natyrisht ishte lajm i gëzueshëm, sepse kishim të bënim me një njohje të shtetit të Kosovës pas një kohe jashtëzakonisht të gjatë. Mos të harrojmë që njohjen e fundit e kishim në vitin 2018”. “Aq më i rëndësishëm bëhej lajmi kur kihej parasysh se vinte në një situatë mjaft të vështirë për Kosovën kur një numër jo i vogël i shteteve – për shkak të ofensivës diplomatike të Serbisë – i kanë tërhequr njohjet. Rëndësia u bë edhe më e madhe në këtë rast”. “Demantimi nga Ministrja e Jashtme e Xhamajkës erdhi si një dush i ftohtë, shuajti gëzimin e të gjithë neve dhe gjithë kjo situatë me të drejtë po quhet ‘Skandali i Xhamajkës’, edhe pse nuk e kemi ende deklarimin e personit kryesor që është çelësi i lajmit – ambasadorja Vlora Çitaku”. Por, pse ndodhi “Skandali i Xhamajkës” dhe kush është fajtor? “Krejt kjo ndodhi për shkak të ngarendjes për të marrë merita për këtë njohje. Mos të harrojmë që lajmin e dha presidenti Hashim Thaçi në Twitter, që më pas u përshëndet edhe nga krerët e tjerë institucionalë dhe jo vetëm. Sot, presidenca e bëri të qartë që kishin marrë një e-mail nga ambasadorja Vlora Çitaku e cila konfirmonte njohjen”. “Më pas në media – që kanë pasë qasje në shkëmbimet e këtyre e-mailave – lexova se megjithatë ambasadorja Çitaku kishte thënë që është mirë që lajmi të mos bëhet publik derisa të merret edhe nota verbale. Kjo ngutje e presidentit Hashim Thaçi për ta bërë lajmin sa më parë të njohur ka shkaktuar problem”. Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se gjithë kjo situatë i shkon në favor Serbisë. “Tash kemi reagimet nga Serbia. Ivica Daçiq dhe zyrtarët e tjerë serbë kanë të drejtë të thonë mendimet e veta, por për mua është jashtëzakonisht e pakuptimtë se si pikërisht në këtë situatë kur nuk ke notë verbale ngutesh dhe e publikon lajmin”. “Ne kemi pasë tërheqje të njohjeve edhe kur kemi pasë notë verbale, lëre më tash kur thjesht presidenti është bazuar në një njoftim të marrë nga ambasadorja”. Mushkolaj ka thënë se është shumë interesante qysh Lëvizja Vetëvendosje – që vazhdimisht ka deklaruar se nuk i beson presidentit– i ka besuar lajmit që e ka bërë të ditur Hashim Thaçi. Ai e ka kritikuar Ministrinë e Punëve të Jashtme që nuk e ka vërtetuar këtë lajm – nëse paraprakisht e ka pasë një njoftim nga ambasadorja Vlora Çitaku për njohjen nga Xhamajka. “Në diskursin e Lëvizjes Vetëvendosje e kemi dëgjuar vazhdimisht të thotë se nuk i besojnë presidentit Hashim Thaçi. Është shumë interesante se si tash – derisa e kanë e-mailin e ambasadores Vlora Çitaku dhe nuk kanë notë verbale – të njëjtit dalin dhe e përshëndesin njohjen nga Xhamajka”. “Nëse një ndër pjesët kryesore të diskursit politik për vite me radhë ka qenë mosbesimi në presidentin dhe punën e tij, si po bie tash në grackën e një ‘tweeti’ të presidentit dhe po i beson se njohja ka ardhur? E konsideroj si një pakujdesi totale të Ministrisë së Punëve të Jashtme, sepse nëse është e-mail i njëjtë në të dy adresat kjo duhet të verifikohet – sidomos në një situatë kaq të ndjeshme kur Serbia po bën çmos që të tërheqë sa më shumë njohje për shtetin e Kosovës”. “Kjo ishte thjesht një penallti për Serbinë e servirur nga institucionet e Kosovës – në radhë të parë nga presidenti i vendit, derisa përgjegjësinë e ka Ministria e Punëve të Jashtme që nuk e ka verifikuar informatën”. “Nuk dua të hyj në teori të konspiracionit se çfarë i është dashur presidentit një mënyrë e tillë e publikimit. Kjo tregon se sa larg rreth koordinimit gjenden institucionet e reja të vendit – Lëvizjes Vetëvendosje në qeveri dhe presidentit Hashim Thaçi”. Analisti Imer Mushkolaj ka komentuar edhe kërkesën e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacollit që ambasadorja e Kosovës në SHBA të shkarkohet. “Nëse pajtohemi se është skandal dhe nëse vërtetohet se ky është ‘fake news’ autore e së cilës mund të jetë ambasadorja Vlora Çitaku, dorëheqja nuk duhet të diskutohet”. “Nëse njëmend vërtetohet se ambasadorja Çitaku e ka tërhequr vërejtjen se kjo është vetëm një informatë se Xhamajka na ka njohur dhe ka kërkuar që të pritet për notën verbale para se të publikohet lajmi, atëherë është përgjegjësi e institucioneve – presidentit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme e cila është treguar joserioze dhe e pavëmendshme”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Dy të vrarë e 6 të plagosur në kryeqytet më 2024 - kritikë për masat ndëshkuese (VIDEO) 9 minuta më parë
Kosova “Jam familjare e Kurteshëve, por s’më punësuan ata, u punësova me meritë” (VIDEO) 15 minuta më parë