Sigal Prishtina feston sukseset NULL NULL 22/05/2015 22/05/2015 Klubi më i suksesshëm në vendin tonë, Sigal Prishtina sonte në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ka festuar trofetë e fituar në këtë edicion të garave. Në një atmosferë madhështore të krijuar nga “Plisat”, Sigal Prishtina bashkë me tifozët dhe sponsorët, ka festuar të gjithë titujt e fituar këtë edicion, por trofeu i veçantë ishte padyshim titulli i kampionit në Ligën Ballkanike. Prishtinasit prezantuan edhe dhjetë trofetë e fituar në këtë edicion të garave, duke u nisur nga titulli i kampionit për grup-moshat 12 vjeç e deri tek seniorët. Në këtë ceremoni sportive Sigal Prishtinës iu dorëzua titulli i kampionit në ETC Superliga, i dhjetë më radhe. Prishtinasit e fituan këtë titull me serinë e fitoreve (3-1) në finalet e play-off-it, pasi që Peja u tërhoq në sfidën e tretë. Sigal Prishtina, bashkë me ekipet e saja në edicionin 2014-2015, vetëm në këtë edicion, ka fituar 10 trofe të çmueshëm. Drejtori i Përgjithshëm i Sigal Prishtinës, Florian Miftari tha se Sigal Prishtina e ka bërë historinë në basketbollin e Kosovës, duke fituar titulli e dhjetë në vendin tonë dhe të parin në Ligën Ballkanike. Ai thotë se trofeu i Ligës Ballkanike ka qenë suksesi më i madh i kryeqytetasve. I entuziazmuar me sukseset e Sigal Prishtinës, është shprehur edhe ndihmëstrajneri i bardhekaltërve, Fikret Shatri. Ai tha se për të ardhur deri tek këto suksese ka qenë një sakrificë e një plejade të tërë. Shatri thekson se Sigal Prishtina në sezonin e ardhshëm do të jetë edhe më e fortë. Ndërkaq, njeriu që ka fituar gjithë trofetë e mundshëm në basketbollin tonë, kapiteni Edmond Azemi mendon se titujt e fituar nga skuadra e tij janë të merituar. Ikona prishtinase thotë se ky sezon ka qenë shumë i vështirë, sepse sipas tij, nuk ka qenë lehtë të luftohet në dy fronte, Ligën Ballkanike dhe Kampionatin e Kosovës. Ai ka shtuar se ndjehet jashtëzakonisht i emocionuar me sukseset e Sigal Prishtinës. Ja trofetë e fituar të Sigal Prishtinës në edicionin 2014/2015 LIGA BALLKANIKE [Ekipi Senior] KAMPIONATI I KOSOVËS [Ekipi Senior] SUPERKUPA [Ekipi Senior] KAMPIONATI I KOSOVËS [Ekipi i Femrave] KUPA E KOSOVËS [Ekipi i Femrave] KAMPIONATI I LIGËS SË PARË [Ekipi “B”] KAMPIONATI [Ekipi U-18] KUPA E KOSOVËS [Ekipi U-18] KUPA E KOSOVËS [Ekipi U-16]