Sibel Halimi për Vjosa Osmanin: S’është guxim vetëm të dalësh nga një parti politike

Sibel Halimi për Vjosa Osmanin: S’është guxim vetëm të dalësh nga një parti politike

NULL NULL
2 months më parë

Sociologia, Sibel Halimi, ka komentuar sondazhin e PIPOS që sonte u prezantua në Klan Kosova duke thënë se pret që sondazhet e ardhshme që do të bëhen pas fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore të kenë ndryshime më të mëdha në përqindje.

“Hulumtimi paraprak dhe ky hulumtim aktual në një formë janë po të njëjtit kontekst shoqëror dhe kohor. Hulumtimet që do të vijnë më pas janë më interesante, sepse aty mund të kemi lëvizje të përqindjes për shkak se zyrtarisht do të fillojë fushata. Të dyja hulumtime nuk përfshijnë ndryshimet që aktualisht i kemi si p.sh përfshirjen e Vjosa Osmanit në listën e Lëvizjes Vetëvendosje”.

Halimi, në Edicionin e Analizës në Klan Kosova, ka komentuar përfshirjen e Vjosa Osmanit dhe iniciativës së saj qytetare në Lëvizjen Vetëvendosje duke thënë se kjo nuk është në përputhje me sloganin e saj “Guxo”.

Sipas saj, guximi i Vjosa Osmanit mbeti vetëm në largimin nga LDK-ja.

“Të krijohet një iniciativë qytetare do të duhej jashtëzakonisht kohë dhe përgatitje intensive. Vjosa Osmani ka qenë e vetëdijshme se duke qenë se ka qenë afat shumë i shkurtër kohor, pavarësisht pozitës së saj si presidente dhe prapavijës si politikane e votuar, prapë se prapë organizimi i një iniciative kërkon përgatitje më të thellë. Kur Vjosa Osmanit nuk iu bashkangjiten disa nga krerët e rëndësishëm të LDK-së pak a shumë e demotivoi që të kandidojë si subjekt i pavarur, pa përfshirjen e saj në Vetëvendosje”.

“Do të doja ta shihja Vjosa Osmanin në një iniciativë të saj, sepse e ka pasë potencialin e saj politike me përvojë, karizëm dhe guxim. Pati një përpjekje për të qenë e guximshme në kuptimin për të krijuar iniciativën, por slogani i saj “guxo” mbeti në përpjekje dhe u lokalizua me idenë që guximi është vetëm të dalësh nga partia. Nuk është guxim vetëm të dalësh nga një parti politike. Guxim është kur fillon t’i dalësh në ballë disa partive politike të fuqishme”.

Halimi është shprehur e bindur se nëse Vjosa Osmani do të garonte e vetme, pa përfshirje në listën e Vetëvendosjes, do ta kalonte pragun.

“Përqindjen e lartë nuk do ta kishte në sondazhe, por fushata do të ishte e fuqishme nëse do ta organizonte mirë dhe do të krijonte marrëdhënie të mirë me votuesin do të fuqizohej shumë më shumë pavarësisht që nuk do të arrinte përqindje të lartë. Mendoj që do ta kalonte pragun, sepse tani ndryshe nga zgjedhjet e kaluara nuk e kemi elementin e ballafaqimit të liderëve me takimet e mëdha masovike. Kërkesa e qytetarëve do të duhej të orientohej në programet që do të ofrohen më shumë sesa në diskursin paraprak – rikthimi në histori dhe ballafaqimi me qeverisjet e kaluara”.