Si u arratisën dy të miturit nga Qendra Korrektuese në Lipjan? (VIDEO)

Si u arratisën dy të miturit nga Qendra Korrektuese në Lipjan? (VIDEO)

NULL NULL
4 javë më parë

19 vjeçari R.S dhe 17 vjeçari A.K janë arratisur, sot rreth orës 17:00, nga Qendra Korrektuese në Lipjan.

Drejtori i kësaj qendre korrektuese, Arif Beqa, ka treguar në Edicionin Special në Klan Kosova se ka qenë edhe një person i tretë që ka dashur të arratiset, por është kapur.

“Fatkeqësisht na ka ndodhur një arratisje e dy të miturve të cilët kanë qenë në masë edukuese. Ata kanë qenë të vendosur në pavijonin B1. Dy prej tyre kanë arritur që të largohen, derisa njëri prej tyre ka tentuar të largohet, por është zënë nga stafi. Janë të mitur me masë edukuese në pavijonin gjysmë të hapur. Kanë qenë me dënime të ulëta, pasi këtu dënimi minimal është një vit masë edukuese, derisa ai maksimal është pesë vjet masë edukuese”.

“E kanë vërejtur Dhoma e Kontrollit që përcjell çdo lëvizje të burgosurve. E kanë parë një të mitur që është afruar te kamera dhe është duke u kapur në tel dhe kanë lajmëruar oficerët të cilët kanë marrë masa për kapjen e tyre”.

Ai ka thënë se personi i tretë që ka dështuar të arratiset është lënduar, por është në gjendje të mirë shëndetësore.

Por, a ka dhënë ai ndonjë informacion se si ka qenë plani i tyre, ose nëse i ka ndihmuar dikush, që të arratisen?

“Nuk kemi ndonjë informatë, sepse është akoma në shërim. Posa të kthehet, do të merremi me këtë rast. Pas deklaratës, ai kthehet në burgun prej nga është larguar”.

Beqa ka thënë se menjëherë pas rastit është ftuar policia dhe rasti është duke u hetuar.

Ai ka treguar se në të kaluarën ka pasë raste të arratisjeve dhe tentim-arratisjeve nga Qendra Korrektuese për të Mitur në Lipjan, por jo edhe kohëve të fundit.